Euro në nivelin më të ulët të dekadës, bie në 127 lekë – Bien edhe paundi dhe dollari amerikan

Fenomeni i uljes së kursit të këmbimit të euro në tregjet vendase vazhdon të shënojë rekorde të reja negative për vlerën e kësaj valute. Një euro këmbehet sot për 127 lekë në blerje dhe 127.7 lekë në shitje. Kjo përkthehet në një rënie prej 0.3 pikësh kundrejt nivelit të ditës së premte dhe në një humbje me mbi 1.5 pikë krahasuar me të Hënën e kaluar.
Për të gjetur euron në nivele të tilla, duhet të kthehemi pas deri në vitin 2008, pra një dekadë të plotë. Ndërkohë në luhatjet ditore, euro zbriti mëngjesin e sotëm deri në vlerën e 126.3 lekëve.
Megjithatë, forcimi i monedhës vendase nuk është ndalur sot vetëm tek euro, por ka dhënë efektet e tij edhe tek valutat e tjera kryesore si dollari amerikan dhe paundi britanik.
Dollari amerikan u ul lehtë me 0.1 pikë ndaj lekut dhe tashmë gjendet në kuotën e 106.2 lekëve. Pavarësisht se në tregjet botërore valuta amerikane gjendet në pikun e vitit 2018, në Shqipëri dollari nuk është në një pozicion shumë të favorshëm, megjithëse mbi nivelet e ulëta të fundit të Prillit.
Rënia më e madhe e ditës i takon paundit britanik, i cili këmbehet për 143.8 lekë në blerje dhe 144.5 lekë në shitje. Ky është rekord negativ edhe për stërlinën, e cila nuk kishte rënë kaq poshtë në tregun shqiptar të këmbimit valutor që pas rezultatit të referendumit për daljen nga Bashkimi Europian. Krahas faktorëve të brendshëm, stërlina është ndikuar edhe nga pamundësia e Bankës së Anglisë për të rritur normat e interesit, duke parë performancën e dobët të ekonomisë. Investitorët kishin pritur që Banka qendrore të merrte një vendim prej muajsh, por tashmë janë tërhequr duke bërë që valuta të humbasë çka kishte fituar gjatë vitit.
Në rënie shfaqet edhe dollari australian me 0.4 pikë, tashmë në kuotën e 79.6 lekëve. Dollari kanadez ka rënë lehtë me 0.1 pikë në 82.4 lekë, ndërsa franga zvicerane është ulur me 0.2 pikë në nivelin e 106 lekëve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.