Euro pranë 126 lekëve – Disa banka kanë konvertuar kapitalin aksioner
Euro po zhvlerësohet më tej këtë javë në kursin e këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, monedha europiane ka zbritur në nivelin e 126.28 lekëve, duke shënuar një rekord të ri për këtë vit dhe nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2009.
Sipas ekspertëve të tregut valutor, zhvlerësimi i euros është një miks mes faktorëve fondamentalë, të lidhur me ngushtimin e deficiti të pozicionit të jashtëm dhe rritjes së investimeve të huaja, me faktorë të përkohshëm, që kanë sjellë së fundmi ofertë të lartë të euros në treg.
Ajo që dihet brenda tregut financiar është se disa banka në gjysmën e parë të këtij viti kanë konvertuar kapitalin në monedhën vendase, duke sjellë një fluks të madh të euros në tregun e këmbimit valutor. Burime nga tregu bëjnë të ditur se ABI Bank dhe NBG Bank së fundmi e kanë konvertuar kapitalin e tyre aksioner në monedhën vendase.
Sipas ekspertëve, leku do të vazhdojë të qëndrojë i fortë ndaj euros edhe gjatë sezonit, veror për shkak të prurjeve të larta valutore të lidhura turizmin. Ndërkohë, në vjeshtë mund të kuptohet më qartë nëse kursi mes euros dhe lekut është zhvendosur drejt një ekuilibri të ri, apo lëvizjet e këtyre muajve do të korrektohen sërish në kahun e kundërt.
Ekspertët mendojnë se ky zhvlerësim i euros mund të joshë më shumë publikun drejt huamarrjes në valutën europiane, ndërkohë që kreidmarrësit ekzistues me kredi në euro dhe të ardhura në lekë po përfitojnë ndjeshëm zhvillimet në kursin e këmbimit valutor.
Për sa i takon bankave, zhvlerësimi i euros për momentin nuk krijon ndonjë shqetësim serioz. Zoti Ligaçaj mendon se impakti kryesor mund të jetë në treguesit e kapitalizimit, për ato banka që e kanë kapitalin në euro.
Duke qenë se treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit për qëllime rregullatore raportohen në lekë, zhvlerësimi i euros mund të sjellë ulje të këtij treguesi për banka të veçanta.
Kjo ekuilibrohet pjesërisht nga fakti që edhe një pjesë e mirë e aktiveve janë në euro, ndaj dobësimi i deritanishëm nuk ka dhënë ende ndonjë efekt shqetësues në kapitalizimin e bankave.
Dobësimi i euros po i bën më të lira importet shqiptare, ndërkohë që po sjell më pak të ardhura për eksportuesit. Ndërkohë që importet e lira shtojnë fuqinë blerëse, ato vështirësojnë objektivin e Bankës së Shqipërisë për të kthyer inflacionit pranë objektivit prej 3%. Megjithatë, me një bilanc tregtar negativ, ekonomia shqiptare ka më shumë përfitime nga forcimi i monedhës vendase.
Kredimarrësit në euro po përfitojnë këste më të ulëta falë zhvlerësimit të monedhës europiane. Nga ana tjetër, ata që kanë kursime në euro në teori, po humbasin vlerë në kursimet e tyre, por, duke pasur parasysh euroizimin e lartë të ekonomisë shqiptare, ky pohim vlen vetëm pjesërisht.
Shumë asete në Shqipëri kuotohen në euro, ndaj kursimet në monedhën europiane që kanë si qëllim realizimin e blerjeve të pronave, makinave apo aktiveve të tjera në vlerë të lartë, të paktën nuk kanë humbur nga ulja e kursit të euros.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.