Euro rikthehet në 126.6 lekë dhe forcimi i monedhës vendase vazhdon – Bien dollari amerikan dhe stërlina

Pas një ngjitjeje të lehtë ditën e djeshme, euro është rikthyer në nivelin e 126.6 lekëve, teksa edhe luhatjet ditore në tregun e këmbimit janë vërtitur rreth këtyre vlerave. Pas forcimit prej 5.5% kundrejt euros, leku do të vijojë të qëndrojë në këto nivele të larta, për shkak edhe të performancës së ekonomisë dhe të ardhurave në valutë të huaj që kanë sjellë prenotimet për sezoni turistik, siç deklaroi ditën e enjte Banka e Shqipërisë.
Leku është forcuar sot edhe kundrejt dollarit amerikan, i cili ka vuajtur pasojat e të dhënave të inflacionit, i cili ishte më i zbutur se parashikimi. Për këtë arsye, dollari ra kundrejt lekut me 0.7 lekë, pasi kishte arritur pikun në 107 lekë gjatë mesit të javës. Tashmë valuta e SHBA këmbehet për 106.3 lekë në shitje dhe 127.3 lekë në blerje.
Në rënie regjistrohet edhe vlera e paundit britanik, i cili ka zbritur në kuotën e 143.6 lekëve. Dobësimi i valutës së Mbretërisë së Bashkuar vjen si rrjedhojë e vendimmarrjes së Bankës së Anglisë për të mbajtur të pandryshuara normat e interesit. Banka gjithashtu shkurtoi parashikimet për rritjen e ekonomisë.
Dollari australian është rikthyer në nivelin e 80 lekëve, duke fituar 1 pikë ndaj lekut krahasuar me nivelet e javës. Po me 1 pikë është rritur edhe dollari kanadez, tashmë në kursin e 83.2 lekëve, ndërsa franga zvicerane ka zbritur sërish në 106 lekë, duke humbur fitimet e javës.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.