Euro rritet lehtë ndaj lekut, forcohet edhe dollari amerikan – Paundi “zhytet” nga dështimi i ligjit të Brexit

Mëngjesin e së mërkurës, në tregun e këmbimit valutor është regjistruar një rritje e lehtë me 0.1 lekë për njësi e valutës së përbashkët europiane, euro, kundrejt monedhës vendase. Tashmë euro ndodhet në kuotën e 125.5 lekëve në blerje dhe 126.4 lekëve në shitje, ndërkohë që nuk shmanget mundësia e një rizhvlerësimi të lehtë gjatë ditëve në vijim.
Lehtshëm me 0.1 pikë është rritur edhe vlera e dollarit amerikan, i cili ndodhet sot në kuotën e 108.3 lekëve në blerje dhe 109.3 lekëve në shitje. Dollari duket se është stabilizuar edhe në tregjet ndërkombëtare, por shqetësimet e një përplasjeje të mundshme tregtare mes SHBA dhe Kinës po frenon investitorët.
Ligji i refuzuar nga Dhoma e Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar ka bërë që vlera e stërlinës të zhytet ndaj euros, çka ka sjellë një efekt negativ për valutën edhe në tregun e këmbimit në vendin tonë. Paundi është zhvlerësuar me gjysmë leku për njësi, duke zbritur në kuotën e 142.5 lekëve në blerje dhe 144 lekëve në shitje. Në këtë kurs, paundi gjendet pranë niveleve të ulëta të fillimit të qershorit dhe me rikthimin e emigrantëve nga Britania, sasia e paundit në treg mund të çojë në një zhvlerësim të mëtejshëm.
Në rritje ditën e sotme shfaqen dollari australian me 0.7 lekë për njësi, tashmë në kuotën e 80.2 lekëve; si dhe franga zvicerane, e cila ka shtuar 0.2 lekë për njësi për t’u rrumbullakosur në vlerën e 109 lekëve. Ndërkohë, dollari kanadez nuk ka shfaqur luhatje dhe qëndron edhe sot në kuotën e 81.5 lekëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.