Euro vijon të tregtohet në nivele të ulëta – Dollari pritet të realizojë muajin më të mirë në 1 dekadë!
Euro është rritur lehtë gjatë sesionit të sotëm, por megjithatë vijon të tregtohet poshtë nivelit të 1.06 dollarëve. Ndërkohë, monedha amerikane po tregtohet në nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit në raport me jenin japonez dhe pritet të realizojë fitimet më të mëdha mujore në një dekadë.
Në njërën anë, pritshmëritë për rritjen e interesave në SHBA po mbështesin dollarin dhe në anën tjetër, parashikimet për ngadalësimin e ekonomisë së Europës po ushtrojnë presion mbi euron. Edhe indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan ka prekur nivelin më të lartë në 2 dekadat e fundit, prej 103.9 dhe vetëm gjatë prillit është rritur me rreth 5%.
Gjithsesi, tendenca në rritje e dollarit është ngadalësuar nga të dhënat mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në SHBA, që rezultoi poshtë parashikimeve të analistëve për tremujorin e parë të këtij viti.
Euro ka humbur rreth 5% të vlerës në raport me dollarit amerikan, vetëm gjatë këtij muaji dhe me 7% që kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës. Konflikti, dhe në mënyrë të veçantë vendimi i Rusisë për të ndaluar furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, kanë rritur shqetësimet për sigurinë energjetike në Europë, për inflacionin dhe për hapin e rritjes ekonomike. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po tregtohet pranë 39 mijë dollarëve, ndërsa ethereum në rreth 2,900 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.