Euro zbret poshtë 126 lekëve – Depozitat e reja në euro, rritje me 5% për 4-mujorin
Euro shënoi një rekord të ri ditën e enjte, duke zbritur poshtë kuotës së 126 lekëve, ndërsa statistikat tregojnë se flukset e euros në sistemin bankar janë në rritje edhe këtë vit.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit, euro u këmbye me 125.92 lekë, vlerë që ishte regjistruar për herë të fundit në fillim të shkurtit 2009.
Ekspertët shprehen se oferta e euros në tregun valutor është e lartë dhe këmbimet përfshijnë edhe transaksione në vlera të mëdha, si konvertimi i kapitalit aksioner të bankave të veçanta.
Një faktor tjetër mund të jetë efekti psikologjik.
Zhvlerësimi i euros mund të shtyjë shumë individë t’i kthejnë kursimet në lekë, duke rritur më tej ofertën e valutës europiane dhe duke shtyrë në zhvlerësimin e mëtejshëm të saj.
Duke qenë se jemi në prag të sezonit veror dhe aktiviteti turistik duket në rritje, gjasat janë që zhvlerësimi i euros të vazhdojë më tej. Statistikat tregojnë se prurjet e euros në treg janë rritur edhe gjatë muajve të parë të vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, depozitat e reja në euro në hynë në sistem për katër muajt e parë të vitit ishin 2.8 miliardë euro, 5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo shumë sigurisht që nuk i referohet flukseve neto, por vetëm atyre hyrëse, megjithatë, shifrat tregojnë se prurjet e valutës europiane ngelen të larta.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.