Euro zgjeron fitimet përballë dollarit – Investitorët i frikësohen një recesioni global, si pasojë e inflacionit

Euro ka vijuar forcimin përballë dollarit amerikan edhe në fillim të kësaj jave dhe pritet të publikojë fitime e para mujore, gjatë majit, në pesë muajt e fundit. Investitorët besojnë tashmë se Rezerva Federale në SHBA do të ngadalësojë hapin e rritjes së interesave.
Në anën tjetër, ekziston edhe shqetësimin se shtrëngimi i politikave monetare nga bankat qëndrore më të mëdha në botë, për shkak të rritjes së çmimeve, do të ngadalësojë ekonominë globale, madje mund ta çojë edhe në recesion.
Kjo javë pritet të jetë e mbushur me raporte ekonomike, duke përfshirë parashikimin për rritjen globale, normat e interesit dhe punësimi në SHBA apo indeksi PMI për shërbimet dhe prodhimin.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme volumi tregtar pritet të jetë i ulët pasi Wall Street do të qëndrojë pushim, me rastin e Ditës Përkujtimore. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan po tregtohet në rreth 101.6 në sesionin e sotëm, ndërsa më herët gjatë këtij muaji u rrit deri në 105, niveli më i lartë në dy dekadat e fundit.
Në tregun e kriptovalutave, bitcoin është rritur ndjeshëm dhe po tregtohet në rreth 30 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1900 dollarë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.