Eurobondi 650 mln euro, Rama: “Rezultat i shkëlqyer! Interesi i ofruar nga tregjet, besim për ekonominë shqiptare”
Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet disa postimeve në Twitter ka njoftuar se Shqipëria ka dalë e suksesshme nga emetimi i fundit i Eurobondit. Duke ironizuar kritikët e qeverisë dhe ekonomisë shqiptare, kryeministri shprehet se besimi i investitorëve ndërkombëtarë te ekonomia shqiptare është reflektuar në emetimin e këtij borxhi, që sipas informacioneve është në vlerën e 650 milionë eurove.
“Analistët e shifrave që nuk i kuptojnë dhe opozitarët e aritmetikës që nuk e zotërojnë, le ta shohin rezultatin e sapo arritur të Shqipërisë në tregjet e kapitaleve, ku përgjigja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj!”, shkruan Rama.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar se sa është shuma e marrë hua nga qeveria dhe cili do të jetë interesi dhe afati i maturimit, por kryeministri thotë se është më i miri në krahasim me vendet e tjera të rajonit që gjithashtu kanë marrë borxh për shkak të goditjes së ekonomisë nga COVID-19, ku raste konkrete janë Maqedonia e Veriut që doli në tregjet kapitale për të kërkuar borxh vetëm dy javë më parë, ndërsa Greqia planifikon të bëjë një gjë të tillë në javët e ardhshme.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në miratimin e ligjit në parlament është shprehur se borxhi është llogaritur në Strategjinë Afatmesme të menaxhimit të borxhit publik, ndërsa Banka e Shqipërisë është shprehur se ajo nuk do të ndikojë politikën monetare të vendit.
Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi për televizionin SCAN është shprehur se Ministria e Financave, ka përdorur bankat më të famshme botërore si konsulentë që e ndihmojnë vendin të dalë në tregun ndërkombëtar.
Ndërkohë, për destinacionin e kësaj shume, znj. Ekonomi është shprehur se një pjesë, pra 250 milionë euro do të shkojnë për borxhin paraardhës dhe 400 milionë për Rimëkëmbjen.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.