Eurobondi “mollë” sherri – Tabaku: Interes më i lartë se Rajoni! Ahmetaj: Ju e morët me 7.5%
Dalja e Shqipërisë në tregjet e huaja të kapitalit përmes emetimit të “Eurobondit” me vlerë 500 milionë euro, me normë interesi 3.55% dhe afat maturimi 7 vjeçar ka “përplasur” dy partitë kryesore në vend. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, përmes një njoftimi në rrjetet sociale e ka cilësuar këtë lëvizje të qeverisë si marrje të një borxhi për të shlyer borxh.
Ndërsa bën krahasimin me shtetet fqinje, duke thënë se në Janar të këtij viti Maqedonia doli në treg me Eurobond më interes 2.75 për qind dhe në Prill të po këtij viti Mali i Zi, doli me një interes Eurobondi 3.37 për qind, ndërsa Shqipëria doli me interes më të lartë, në 3.55 për qind.
Deklaratës i është përgjigjur “majë për majë” Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, duke shpjeguar pse Shqipëria ka marrë një normë më të lartë interesi në krahasim me vendet e rajonit. “Ti bën krahasime pa asnjë lidhje e nderuar zëdhënëse e ekonomisë së partisë që e shkatërroi ekonominë. Mali i Zi sot, është 3.95 (me borxh 55%) zonja Tabaku, ndërsa Maqedonia është sot sa ne, rreth 3.55 pra edhe pse ka BB rating! Krahasimi me dje nuk bëhet me vendet e tjera zonja Tabaku, se është njësoj si të krahasosh një mollë me një qepe apo një kastravec, po bëhet me vetveten” ka shkruar Ahmetaj.
Ndërsa ka bërë krahasimin kur qeveria e demokratëve emetoi eurobondin, i cili ishte me normë interesi 7,5% per periudhe 5 vjeçare, 4 për qind me shume se sot, e për një maturim më të shkurtër.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.