Eurobondi, një “thes” me borxh në ekonomi
Në kushtet kur ekonomia tregoi dobësi të dukshme gjatë vitit 2019, me një rritje në rreth 2.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 4.1 për qind e targetuar, duket se nevojat për stimul janë bërë sërish emergjente.
Faktori tërmet, është dhe një tjetër shkak kryesor që “fundosi” jetën ekonomike gjatë vitit që lamë pas dhe që pritet të ketë ndikime të larta edhe në vitet e ardhshme. Për të gjetur këtë stimul që do të synohet të shërbejë si katalizator për ekonominë gjatë këtij vitit, qeveria planifikoon ti drejtohet sërish për borxh tregjeve ndërkombëtare dhe këtë herë shuma që do të kërkohet është më e lartë nga ç’ishte parashikuar.
Por paralelisht me planet për Eurobond, në konferencën e donatorëve të zhvilluar më 17 Shkurt, ka marrë ofertë për kreditim të butë në një shumë prej rreth 800 milionë eurosh. Të cilat e vënë disi në pikpyetje qeverinë për hapat e ardhshëm, pasi kreditimi i ofruar është me kushtin e përballimit të pasojave të tërmetit dhe përthithja e një shume të tillë do të “thyente” tavanin e borxhit publik prej 70 për qind.
Çka do të thotë që janë para që përpos se rrezikojnë parametrat makroekonomikë, cilat nuk mund të shkojnë për shlyerjen e borxheve ekzistuese apo investime jashtë këtij kanali. I vetmi ndikim në Eurobond, mund të jetë minimizimi i shumës që do të kërkohet në tregjet ndërkombëtare.
Në Maj, sërish hua në tregjet ndërkombëtare
Ministria e Financave parashikon që në muajin Maj të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh, përmes emetimit të një Eurobondi të ri. Shuma që planifikon të kërkojë qeveria do të jetë rreth 600 milionë euro, me afat maturimi nga 7 deri në 10 vjet dhe do të përdoret për të plotësuar nevojat e ekonomisë për financim apo edhe për të riskeduluar borxhin aktual me qëllim uljen e kostove.
Pas dështimit të tenderit të parë, për shkak se u paraqit vetëm një operator, ky institucion ka hapur sërish procedurat për përzgjedhjen e konsulentit ligjor për emetimin e Eurobondit të katërt. “Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kërkon të prokurojë shërbimin e një firme ligjore të specializuar në dhënien e konsulencës ligjore për emetimin e Eurobond-it të katërt, me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë, që të shërbejë si konsulent ligjor në lidhje me emetimin e këtij Eurobondi”, shkruhet në dokumentet e tenderit.
Fondi limit është rreth 24 milionë lekë. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është duke e filluar nga data e nënshkrimit të kontratës deri më 31.12.2020. Parashikohet që kohëzgjatja normale e procesit të jetë 8-12 javë, por kjo nuk përjashton mundësinë që autoritetit t’i duhet konsulenca edhe përtej këtij afati, në varësi të kushteve të tregut. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, lidhur me këtë temë është shprehur se “Në këtë mënyrë, ne mund të gjenim hapësirë në buxhet për ta përdorur atë qoftë në rindërtim ose investime të tjera të planifikuara, më pak se gjysma e obligacionit do të paguajë borxhin. Ne mund të ngremë tavanin (Eurobond) pak, nga 500 mln në 600 mln, ose 580 mln ose 590 mln, në varësi të nevojës në momentin që do të hyjmë në treg,”. Denaj ka sqaruar se do të zgjidhet një këshilltar ligjor dhe menaxher i bankës drejtuese për obligacionin në vijim, duke shtuar se Standard & Poor’s vlerësoi kreditit e Shqipërisë me një B + me një perspektivë të qëndrueshme.
Në 10 vjet, 4 Eurobonde
Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010, me nje interes rreth 9 % dhe më pas në tregtim, për shkak të perkeqësimit financiar dhe fiskal të ekonomisë në vitet 2011-2012, shkoi edhe në nivele 11-12 %. Ne vitin 2015 është regjistruar dalja e dytë me 450 milionë euro, me afat maturimi 5-vjeçar dhe me një normë interesi 5.75 %, i cili u maturua nëntor të vitit 2020.
Emetimi i Eurobondit të tretë në tregjet ndërkombetare në 2018-ën, me vlerë 500 milione euro, normë interesi 3.55 për qind dhe me afat maturimi 7 vjet, u vlerësua nga qeveria si mënyra optimale, për të plotesuar nevojat për financim për dy vitet në vijim. Nga një dalje tek tjetra, duket se Shqipëria ka përmirësuar pozicionimin e saj në tregjet ndërkombëtare sin ë përqindje dhe aftate maturimi, ndërsa objektivi për ta zgjatur edhe më tej këtë afat, është sërish një lajm i mirë, pas i krijon frymarrje ekonomisë në raport me borxhin e përgjithshëm publik.
Ku do përdoren paratë?
Qëllimi i qeverisë për të kërkuar hua në tregjet ndërkomëbëtare është më i hershëm se ngjarja e fatkeqësisë natyrore me të cilën u përball vendi. Por pas tërmetit, nevoja për këtë instrument u bë edhe më e madhe, dhe vlera e synuar u rrit, me qëllim që një pjesë e kësaj huaje të shkojë në ndihmë të rimëkëmbjes. Kështu, duket se një pjesë e mirë e borxhit do të shkojë në funksion të këtij qëllimi.
Ndërsa një pjesë do të shkojë për investime, ashtu sikurse ka deklaruar vetë Mnistria e Financave dhe Ekonomisë. Kjo për shkak edhe se investimet publike për vitin 2020 në buxhetin e shtetit morën një goditje të theksuar në ulje fondesh, ku me fondet shtetërore nuk parashikohe asnjë projekt i ri, gjë që kërkon një instrument shtesë për të kompensuar këtë shkurtim dhe për të qarkulluar para në këtë sektor. Ndërsa detyrimet kontraktuale dhe shlyerja e borxheve të marra më herët sërish do të jenë në vëmendjen e qeverisë, për kanalizimin e një pjese të huasë.
Fatura e “hidhur” e tërmetit
Tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit la pas një faturë të “kripur” për ekonominë e vendit, pasojat e së cilës do ndjehën edhe në vitet në vijim. 985 milionë euro janë dëmet dhe humbjet e shkaktuara në raport 86% me 14 %, ndërsa mbi 1 miliardë euro është nevoja për rimëkëmbje. Qeveria ka publikuar raportin e velerësimit të nevojave pas fatkeqësisë natyore, sipas të cilit, janë mbi 202 mijë qytarë të prekur në 11 bashkitë te vendit.
Barrën më të madhe të dëmeve e mban strehimi me afro 696 milionë euro, për shkak se mijëra banesa u dëmtuan dhe mbetën “pa çati” mbi 17 mijë qytetarë. Në total janë mbi 95 mijë banesa të dëmtuara, me kryeqendër Durrësin, i ndjekur nga Tirana. Bizneset gjithashtu kanë pësuar një goditje të madhe nga fatkeqësia natyrore. Dëmet e humbjet në sektorin e prodhimit llogariten në 150.4 milionë euro, ku përfshihen biznesi dhe punësimi, turizmi, trashëgimia kulturore, dhe bujqësia.
Më pas renditet arsimi, me 72.3 milionë euro dëme e humbje, ku nevojat për rikonstruksionin e institucioneve arsimore janë emergjente dhe të domosdoshme. Infrastruktura është sektori tjetër që ka pësuar dëme të mëdha në vlerën e 33.4 milionë eurove, ku përfshihet infrastruktura komunitare, rrugët, ujësjellës kanalizime, komunikimi, ndërtesat publike, energjia, etj. Fatura në sektorin e mbojtjes civile është afro 22 milionë euro dhe në fund renditet shëndetësia me afro 10 milionë euro.
Dëmet më të mëdha janë shaktuar në Tiranë dhe Durrës, të cilat përbëjnë 62 për qind të totalit apo 610 milionë euro, ndërsa bashkitë e tjera regjistrojnë një nivel më të ulët. Prioritet për qeverinë është nisja e procesit të rindërtimit dhe akomodimi i të pastrehëve në shtëpitë e reja, ndërkohë që paralelisht do të ndërhyhet edhe në institucionet arsimore dhe shëndetësore, duke bërë që fondet e vëna në dispozicion dhe ato që do të sigurohen të kanalizohen në këto qëllime.
Më pas do të prioritizohen nevojat në raport me emergjencën që paraqësin. Faza e rimëkëmbjes parashikohet të zgjasë të paktën 5 vjet. Ndërkohë që sa i takon ndikimit në ekonomi, tërmeti është vlerësuar të ketë ndikuar në nivelin 6.4% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në dëme dhe 1.1% të PBB në humbje. Ekonomia e Shqipërisë është projektuar të rritet me 2.4% në 2019 dhe 3.2% në 2020 krahasuar me rritjen e parashikuar para tërmetit, respektivisht në nivelin 2.9% dhe 3.5%.
Objektivi për uljen e borxhit
Qeveria ka përcaktuar trajektoren e financave publike në 4 vitet e ardhshme, përmes strategjisë afatmesme e cila ka marrë fuqi ligjore. Dokumenti vendos shtatë objektiva kryesore, të cilat kanë si qëllim garantimi i një sistemi të financave publike që nxit transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin të burimeve publike për ofrimin e shërbimeve të përmirësuara dhe zhvillimin ekonomik.
Konkretisht, qeveria zotohet të vijojë reformat strukturore, përfshirë forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve ekonomike, të heqë pengesat për kursime më të mëdha private dhe investime, të reduktojë borxhin publik me ritëm më të shpejtë, duke përmirësuar menaxhimin e investimeve publike dhe duke zgjeruar bazën e të ardhurave. Në dokument, thuhet se “objektivat fiskalë përfshijnë uljen e borxhit publik nga 67 për qind në më poshtë se 60 për qind të PBB-së deri në vitin 2022, duke ulur shpenzimet korrente dhe duke stabilizuar të ardhurat tatimore.
Pritet që deficiti buxhetor të bjerë në 1,2 për qind të PBB-së në vitin 2021, përmes uljes së shpenzimeve korrente, por në të njëjtën kohë duke ruajtur rritjen e shpenzimeve kapitale me një mesatare prej 5 për qind të PBB-së.
Investimet publike pritet të rriten në mbi 6 për qind të PBB-së në vitin 2021, megjithëse nënvizohet se por kjo rritje mund të jetë e vështirë të realizohet, për shkak të dobësive në planifikim dhe menaxhim të shpenzimeve kapitale.
Duke marrë parasysh se këtë, për shkak edhe të faturës së lartë të dëmeve të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, investimet publike ranë në 4,5 për qind, defiçiti në 2.2 për qind, e ndërsa stoku i borxhit po vijon të rritet, objektivat e vendosura nga qeveria duken ambicioze dhe kërkojnë reforma të qëndrueshme.
Nga Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.