Eurogrupi i bindet Berlinit – Zhllokohen paratë për Greqinë, por “ngrin” borxhi

Eurogrupi nuk arriti të prodhojë dot asnjë surprizë. Zërat që kishin dalë që në fillim javë rezultuan të vërteta.
Kreditorët europianë vendosën të zhbllokonin këstin e radhës së huasë për vendin, rreth 8 miliardë euro, ndërkohë që ngrinë bisedimet për lehtësimin e borxhit.
Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar u përfshi në bord, por pa asnjë angazhim financiar. Ky angazhim do të vijë më vonë, vetëm pasi të merren masat për lehtësimin e borxhit të vendit.
Pavarësisht se Athina zyrtare, nëpërmjet këtyre parave shmang falimentin, për vendin projektohet një e ardhme e zymtë. Mos lehtësimi i borxhit e për rrjedhojë mospërfshirja e Greqisë në tregjet ndërkombëtare të borxhit, do të vazhdojë të prodhojë një situatë të rënduar ekonomike dhe financiare në vend.
Pavarësisht kësaj, Euclid Tsakalotos, ministri grek i financave, deklaroi në fund të Eurogrupit: “Tani ka dritë në fund të tunelit”.
Një ditë më parë ministri grek i ekonomisë akuzoi Gjermaninë dhe Wolfgang Schaeuble personalisht për pandershmëri. 7.7 miliardë euro do të zhbllokohen në fillim të korrikut për të ndihmuar Greqinë që të paguajë borxhin e vjetër të maturuar, që shkon në 6.9 miliardë euro. 800 milionë eurot e mbetura do të disbursohen në Shtator.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.