Eurogrupi, mesazh qeverisë greke – “Sufiçiti prej 3.5% është kritik për qëndrueshmërinë e borxhit”
Ministrat e Financave të Eurozonës i bënë të ditur Athinës se janë të gatshëm për të bashkëpunuar me Qeverinë e re, por paralajmëruan se premtimet e administratës së kaluar në muajin Maj kanë vënë nën rrezik objektivat fiskalë dhe ekonomikë. Ndërkohë që kreditorët me shumë gjasa nuk do të pranojnë reduktimin e sufiçitit primar, të caktuar në 3.5% të PBB, ata do të diskutojnë reduktimet tatimore nëse objektivat arrihen në një mënyrë tjetër.
Takimi i radhës i Eurogrupit është caktuar më 13 Shtator, ku do të bisedohen dëmet e shkaktuara nga kompensimet e dhëna nga qeveria e Tsipras. Kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit, Klaus Regling, tha se vlerësimi i tretë pas përfundimit të ndihmave financiare, përfshiu disa sfida. Megjithatë, ai shtoi se ka pasur përmirësim të dukshëm të ekonomisë greke, krahasuar me vitet e kaluara.
Në lidhje me reduktimin e sufiçitit primar, Regling tha se 3.5%-shi i PBB është pikë kritike e programit, pasi është tejet e vështirë që të arrihet një qëndrueshmëri e borxhit duke thyer atë nivel.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.