Euroizimi i ekonomisë – As “fiskalizimi” nuk e lufton, BSH e vetme në “betejë”
Banka e Shqipërisë ka kryer analizën periodike të radhës të treguesve që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit. Analiza arrin në konkluzionin se përdorimi i valutës në sistemin bankar në gjysmën e parë të këtij viti ka rënë; por, kjo ka ndodhur vetëm si rezultat i shkëputjes së degës së BKT-së në Kosovë dhe funksionimit të saj si filial më vete. Përtej këtij faktori strukturor, nuk vërehet ndonjë tendencë e qenësishme për ulje të përdorimit të euros në sistemin bankar shqiptar. Në mesin e këtij viti, 53.6% e kredive dhe 51.6% e depozitave bankare të sektorit privat ishin në valutë të huaj.
Banka e Shqipërisë konkludon se, pavarësisht ndryshimeve strukturore të konstatuara gjatë gjashtëmujorit të fundit, sistemi financiar shqiptar vijon të paraqesë nivele të larta të euroizimit, të cilat reflektojnë përdorimin e valutës në shkallë të gjerë në ekonominë shqiptare. Edhe në raportin e radhës për deeuroizimin i bëhet thirrje palëve që nënshkruan memorandumin e deeuroizimit, në veçanti qeverisë shqiptare, të marrin masa për të kontrolluar dhe ulur euroizimin në sektorin real të ekonomisë. Por, për momentin qeveria shqiptare nuk duket se ka ndërmend të ndërhyjë për të kufizuar transaksionet në euro.
Një instrument i volitshëm mund të kishte qenë ligji i ri i fiskalizimit, i sapo hedhur për konsultim publik. Por, në këtë projektligj nuk parashikohet asnjë dispozitë për të kufizuar faturimin në valutë të huaj, në të gjitha nivelet e transaksioneve. Përkundrazi, neni 6 i projektligjit sanksionon se vlerat e treguara në faturë mund të paraqiten në çfarëdo lloj monedhe, me kusht që vlera totale të jetë e shprehur në vlerën ekuivalente në lekë, sipas kursit të këmbimit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë në ditën e lëshimit të faturës. Edhe me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, tregtarët do të jenë të lirë të vendosin çmime dhe të lëshojnë fatura në euro.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.