Euroizimi po rritet – Analiza e tremujorit II, më shumë depozita dhe kredi në euro
Në muajin shkurt të këtij viti Banka e Shqipërisë shpalli strategjinë për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare më sistemin financiar dhe ekonomi, ose e njohur ndryshe si paketa e deeuroizimit. Analizat e para tregojnë se prezantimi i kësaj pakete nuk ka prodhuar efekte në afatin e shkurtër.
Në raportin periodik tremujor, mbi ecurinë e treguesve që monitorohen në kuadër të strategjisë së deeuroizimit, Banka e Shqipërisë vëren se pesha e monedhës europiane në bilancet e bankave ka vazhduar të rritet.
Në mesin e këtij viti, pesha e depozitave në valutë në sistemin bankar është rritur në 53.2%, nga 52.3% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Për gjysmën e bankave të sistemit, depozitat në valutë zënë mbi 50% të totalit.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kredinë në valutë, që në fund të qershorit zinte 57.2% të portofolit të sistemit bankar, nga 56.4% që kishte qenë në fund të vitit 2017. Megjithatë, pozitiv është fakti që kredia e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit ka rënë në 42.8% të totalit, nga 43.6% që ishte në fund të vitit të kaluar.
Masat e Bankës së Shqipërisë për uljen e euroizimit të sistemit financiar hynë në fuqi vetëm në mesin e këtij viti, ndaj nuk pritej që ato të kishin ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë menjëherë pas prezantimit të tyre në muajin shkurt.
Ajo që u hipotizua ishte një ndikim psikologjik në tregje, por edhe një përgatitje e bankave për t’u përshtatur me ndryshimet e rregulloreve në kuadrin e kësaj strategjie. Por, shifrat tregojnë se gjatë gjysmës së parë të këtij viti strategjia nuk ka sjellë ndonjë shmangie nga ato që ishin tendencat e viteve të fundit.
Banka e Shqipërisë ka nënvizuar në mënyrë të përsëritur se objektivat e kësaj strategjie janë afatgjata dhe nuk priten të sjellin efekte të rëndësishme në afatin e shkurtër.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.