Europa, e prekura e madhe nga COVID – OBSH: Nuk mjafton vetëm vaksinimi. Të zbatohen masat e parandalimit
Europa po regjistron rritjen më të lartë javore të rasteve me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. Sipas raporteve, rreth 2 milionë raste të reja të konfirmuara me COVID-19 u raportuan në kontinentin e vjetër nga 1 nëntori deri më 7 nëntor. Për më tepër, javën e kaluar pati afro 27,000 vdekje të reja nga virusi, që përbën më shumë se gjysmën e vdekjeve të reja në mbarë botën gjatë kësaj periudhe.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se disa vende europiane aktualisht po rizbatojnë masa kufizuese për të frenuar përhapjen e virusit dhe për të ulur presionin mbi sistemet e tyre shëndetësore.
Sipas OBSH-së, disa vende në Europën Perëndimore, ku shkalla e vaksinimit kishte arritur një nivel të lartë, sërish kanë regjistruar rritje të rasteve, gjë që tregon se vaksinat nuk mund të zëvendësojnë masat e tjera të parandalimit të epidemisë, ose të parandalojnë plotësisht përhapjen e virusit. OBSH rekomandon që vendet të marrin masa reagimi bazuar në kushtet e tyre aktuale.
OBSH njoftoi gjithashtu se Aksesi Global i Vaksinave COVID-19 (COVAX) ka ofruar rreth 500 milionë doza vaksinash në 144 vende dhe rajone. Sipas objektivit të vendosur më parë, 40 për qind e popullsisë së të gjitha vendeve duhet të vaksinohen kundër virusit deri në fund të këtij viti. Për këtë, nevojiten 550 milionë doza shtesë vaksine. OBSH u bën thirrje qeverive dhe prodhuesve të vaksinave që të punojnë së bashku për të arritur këtë qëllim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.