Europa me 512 mln banorë – Popullsia rritet me 0.3%, vetëm falë emigrantëve

Të dhënat e fundit të publikuara nga zyra e statistikave të Bashkimit Europian tregojnë se, deri në 1 janar të këtij viti, popullsia në Bashkimin Europian fiksohej në 511.8 milionë banorë.
Në të njëjtën datë të vitit 2016, popullsia fiksohej në 510.3 milionë banorë. Në total përkthehet në një rritje me vetëm 0.3% të popullsisë.
Statistikat e Eurostat bëhen mbi një metodologji që e ilustron rritjen për çdo 1000 banorë.
Gjatë 2016-ës, në Bashkimin Europian, numri i lindjeve me atë të vdekjeve ka qenë thuajse i barabartë, në 5.1 milionë banorë. Kjo do të thotë se, rritja natyrale e popullsisë është zero.
Mungesa e tkurrjes i dedikohet ekskluzivisht flukseve migratore. Gjermania është vendi me popullsinë më të madhe në union, duke zënë 16% të totalit, ose 83 milionë banorë. Më pas ndjek Franca me 67 milionë banorë, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.
Të dhënat janë shqetësuese për disa vende, pas flasin për një plakje të popullsisë. Pjesa dërrmuese e këtyre vendeve janë disa prej atyre që kanë kaluar një krizë e rëndë ekonomike, si : Greqia, Portugalia, Italia apo edhe Kroacia, Bullgaria, apo Rumania.
Në të dhënat e Eurostat figurojnë edhe disa vende të rajonit. Serbia është një ndër ato që ka një tkurrje të popullsisë, me 5.1% për ç֛do 1000 banorë, ose 0.51% në total. Popullsia e Turqisë ndërkohë është rritur me 1.35% në total, edhe falë emigracionit neto.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.