Europa rrezikon të ketë krizë uji – Cilat janë masat adekuate që duhen ndërmarrë?!

Europa po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga mungesa ujit sidomos niveli i ujërave nëntokësore po bie në mënyrë shqetësuese dhe për të luftuar problemin nevojiten masa adekuate dhe një riorientim. Dy të tretat e planetit blu janë të mbuluara nga uji, por më pak se 3 % e ujit është i pijshëm. Përveç kësaj ai është i shpërndarë në mënyrë shumë të pabarabartë sidomos në shumë zona të Afrikës, Lindjes së Mesme, Amerikës Latine dhe Azisë ka mungesë dramatike të ujit.
Edhe Europa po ndjen gjithnjë e më shumë rritjen e mungesës e ujit pasi në shumë vende vitet e fundit ka rënë shumë pak shi, temperaturat janë rritur ndjeshëm dhe verat po bëhen gjithnjë e më të nxehta. Si pasojë mungesa e ujit dhe thatësirat po kërcënojnë pjesë të mëdha të Europës. Sipas Copernicus Climate Change Service periudha e thatë do të vazhdojë të përhapet nga Europa Lindore në të gjithë kontinentin, jo dikur në të ardhmen e largët, por tani.
Graviteti i tokës jep shpjegim
Gjendja e rezervuarëve të ujërave nëntokësore matet nga satelitët GRACE-FO (Gravity Recovery and Climate Experiment Follow On), të cilët masin prej 20 vjetësh luhatjet e gravitetit të tokës, që ndryshon nga përmbajtja e ndryshme e ujit. Ndërsa malet dhe fundi i detit ndryshojnë fare pak, zhvendosja e sasive të mëdha të ujit përmes avullimit, reshjeve, apo rrjedhjes në det ofron të dhëna të dobishme, që studiuesit mund t’i krahasojnë më pas me rezultatet e matjeve të mëparshme nga misioni GRACE dhe me të dhënat e stacioneve tokësore.
Përgjegjës për rritjen e mungesës së ujit, nuk është vetëm ndryshimi i klimës, sigurisht që rritja e temperaturave shkakton rritjen e avullimit edhe përdorimi i pakujdesshëm i ujit në shumë vende do të shtojë mungesën e tij. Sepse edhe pse uji po bëhet gjithnjë e më i pakët, konsumi prej vitesh po shtohet. Nga njëra anë në familjet private e mbi të gjitha në industri dhe në bujqësinë intensive sidomos në verërat shumë të thata të viteve të fundit bujqësia ka ujitur gjithnjë e më shpesh, meqë bimët në fusha po thaheshin. Në disa rajone kjo ka shkaktuar vështirësi të konsiderueshme me furnizimin me ujë.
Masat e nevojshme
Ne mund t`i kundërvihemi mungesës së ujit, për shembull, përmes kulturave bimore më ekonomike, konsumit më të vetëdijshëm apo menaxhimit efektiv të ujit. Ka shumë ide dhe zgjidhje. Për shembull, toka nuk duhet të “mbyllet e vuloset” kudo, ashtu si ndodh në shumë qytete: uji duhet të jetë në gjendje të depërtojë, në mënyrë që niveli i ujërave nëntokësore të rikuperohet.
Bujqësia mund të ujitë në mënyrë më selektive dhe të ndotë më pak ujin me plehra. Përrenjtë dhe lumenjtë, të cilët janë drejtuar, mund të natyralizohen përsëri, në mënyrë që uji të mos kullojë shumë shpejt, por të mund të depërtojë gradualisht poshtë. Ujërat e zeza ose uji i kripur mund të përpunohen në ujë të përdorshëm.
Për të gjitha këto opsione në luftën kundër mungesës së ujit ekspertët do të diskutojnë nga data 21-26 mars 2022 në Forumin e 9-të Botëror të Ujit. Ai zhvillohet në Dakar, kryeqyteti i Senegalit, dhe kështu për herë të parë në Afrikën Perëndimore, në një zonë ku njerëzit ndjejnë prej kohësh pasojat dramatike të mungesës së ujit. Deutsche Welle
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.