Europol: Do të fshihen të gjitha të dhënat personale që nuk lidhen me ndonjë krim nga mbikëqyrësi i BE-së!
Europoli është urdhëruar të fshijë çdo informacion në lidhje me individët që nuk janë shpallur fajtorë për asnjë krim. Një hetim zbuloi se agjencia policore e Bashkimit Europian kishte mbledhur dhe ruajtur të dhëna për qytetarët e pafajshëm.
Europolit iu tha të fshinte çdo të dhënë që nuk përputhej me masat mbrojtëse për kohëzgjatjen e ruajtjes së informacionit të ndjeshëm, ku të dhënat mund të ruhen vetëm për gjashtë muaj nëse nuk mund të provohet asnjë aktivitet kriminal.
Mbikëqyrësi Europian i Mbrojtjes së të Dhënave (EDPS) tha se Europoli u njoftua për urdhrin më 3 janar pas një hetimi të vitit 2019. EDPS tha se e qortoi Europolin dy vjet më parë “për ruajtjen e vazhdueshme të vëllimeve të mëdha” të të dhënave të tilla që “paraqesin rrezik për të drejtat themelore të individëve”.
Mbikëqyrësi tha se Europol ka futur që atëherë disa masa, por se nuk është pajtuar me kërkesat për të vendosur një periudhë të përshtatshme të ruajtjes së të dhënave. “Kjo do të thotë se Europoli i mbante këto të dhëna për më gjatë se sa duhej,” tha EDPS.
Agjencia e policisë ka tani 12 muaj për të hequr të dhënat që nuk janë shkatërruar deri më 3 janar.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.