Eurostar zgjeron rrjetin – Lançon linjën e drejtpërdrejtë Londër – Amsterdam
Përpjekjet e operuesit të shërbimit Hekurudhor Eurostar për të lidhur Mbretërinë e Bashkuar me Holandën me sa duket janë finalizuar me sukses. Tashmë udhëtarët do të kenë mundësi të udhëtojnë në këto vende drejtpërdrejt me trena të shpejtësisë së lartë në një kohë shumë të shkurtër.
Trenat do të udhëtojnë dy herë në ditë nga Londra në Amsterdam për vetëm 3 orë e 41 minuta. Por për një periudhë fillestare, shërbimi Eurostar do të zhvillohet vetëm në një drejtim, nga Londra në qytetin holandez.
Kompania ka punuar për lançimin e këtij projekti që nga viti 2013. Aktualisht janë rreth 4 milionë njerëz të cilët udhëtojnë nga Londra dhe Amsterdami përmes ajrit dhe Eurostar tha se po synon një pjesë të konsiderueshme të atij tregu.
“Thamë vite më parë se donim të shkonim në shumë destinacione dhe shtimi i Amsterdamit është në të vërtetë pjesa përfundimtare e enigmës,” tha shefi ekzekutiv i Eurostar, Nicolas Petrovic.
Shërbimet holandeze do të fillojnë me dy nisje në ditë nga Londra në orën 8:31 dhe në orën 5:31, tha Eurostar në një deklaratë. Pasagjerët që bëjnë udhëtimin e kthimit fillimisht duhet të ndalojnë në Bruksel për kontrollet e pasaportave, sepse stacionet holandeze nuk janë të pajisura ende për të bërë këto kontrolle.
Sipas kompanisë, kjo është një masë e përkohshme derisa qeveritë britanike dhe holandeze të arrijnë një marrëveshje për të lejuar kontrollet e pasaportave të kryhen në nisje në Holandë.
“Fillimi i shërbimit të Londrës ndaj Amsterdamit shënon një moment historik në zgjerimin e udhëtimit hekurudhor ndërkombëtar me shpejtësi të lartë, duke revolucionarizuar lidhjen midis këtyre destinacioneve të rëndësishme”, tha kompania.
Eurostar, i kontrolluar nga operatori hekurudhor shtetëror francez SNCF, është shprehur se shqetësimet janë të vogla në lidhje me ndikimin e largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.