Eurostat: Eurozona u rrit me 0.5% gjatë T1, në linjë me parashikimet

Të dhënat e sapopublikuara nga agjencia e statistikave të Bashkimit Europian, tregojnë se, ekonomia e të 19 vendeve të bllokut të monedhës së përbashkët u rrit me 0.5% gjatë tremujorit të parë të vitit.
Në terma vjetorë ndërkohë rritja fiksohet pranë 1.7%, në linjë me pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Të dhënat e tremujorit të parë të vitit flasin për një rritje të fortë ekonomike të bllokut, dhe sinjalizojnë një rritje ekonomike vjetore pranë 1.8%.
Veç të tjerash, Eurostat ka rishikuar në territor pozitiv shifrat e rritjes ekonomike gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, në 0.5%, nga 0.4% që vlerësohej paraprakisht.
Kjo do të thotë se, gjatë tre muajve të fundit të 2016-ës, ekonomia e rajonit u rrit me 1.8%, nga 1.7% që vlerësohej më parë.
Paçka se Eurostat nuk ka publikuar zërat kryesore të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë tremujorit të parë, ekspertët argumentojnë se, lokomotiva e rritjes është konsumi privat, të cilit i vjen në ndihmë edhe biznesi me rritjen e investimeve.
Në të 28 vendet e Bashkimit Europian ndërkohë, rritja ekonomike gjatë tremujorit të parë fiksohet në 0.4% me bazë tremujorësh.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.