Eurostat konfirmon ngadalësimin – Ekonomia e Eurozonës rritet me 0.4% prej tkurrjes së tregtisë
Ekonomia e Eurozonës u rritën me 0.4% në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me fundin e vitit 2017, raporton zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, duke konfirmuar vlerësimin fillestar. Rënia e tregtisë ndikoi në ngadalësimin e vrullit ekonomik, që mori nxitje nga konsumi dhe investimet.
Eurostat konfirmoi se ekonomia e 19 vendeve që ndajnë euron u rrit me 2.5% me bazë vjetore, shifër e njëjtë me projeksionet e analistëve. Norma e rritjes u ngadalësua nga 0.7% me bazë tremujore dhe 2.8% me bazë vjetore në fundin e 2017-ës. Eksportet e Eurozonës ranë me 0.4% nga tremujori i kaluar, ndërsa importet me 0.1%, duke vënë në dukje ngadalësimin e tregtisë globale.
Gjatë periudhës, konsumi privat u rrit me 0.5% në bllokun e valutës së përbashkët. Formimi bruto i kapitalit fiks, një tregues i investimeve, u rrit gjithashtu me 0.5% gjatë tremujorit të parë. Ekonomia e Eurozonës u rrit me një normë më të ngadaltë se Shtetet e Bashkuara, ku norma u regjistrua në 0.5% në tre muajt e parë të vitit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.