Eurostat konfirmon pritshmëritë – Ekonomia e Eurozonës ngadalësohet në tremujorin e parë, papunësia në 8.5%

Rritja e ekonomisë së 19 vendeve që ndajnë euron është ngadalësuar në fillim të 2018-ës, raporton agjencia e Statistikave e Bashkimit Europian në të dhënat paraprake, duke konfirmuar pritshmëritë e analistëve.
Produkti i Brendshëm Bruto në Eurozonë u rrit me 0.4% në tremujorin e parë, nga tremujori i katërt 2017 dhe me 2.5% me bazë vjetore, sipas Eurostat.
Shifra u përputh me projeksionet e ekonomistëve, por poshtë rritjes me 0.7% që u regjistrua në tre muajt e fundit të 2017-ës.
Të dhënat mbi ndjesinë ekonomike treguan rënie gjatë marsit, duke bërë që analistët të projektojnë një ngadalësim të ekonomisë së Eurozonës, megjithatë në nivele të forta prej rreth 2% me bazë vjetore në tremujorët e ardhshëm.
Besimi morri goditje pjesërisht prej shqetësimeve mbi luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara, që mund të rikthehet përsëri nëse Washingtoni vendos tarifat për importet e çelikut dhe aluminit nga Bashkimi Europian.
Ky vendim do të merret më datë 1 Qershor. Eurostat publikoi edhe të dhënat mbi papunësinë, ku norma për Eurozonën gjatë muajit Mars mbeti e pandryshuar në 8.5%.
Kjo është edhe norma më e ulët që prej Dhjetorit 2008. Sipas agjencisë, 13.82 milionë njerëz në Eurozonë ishin të papunë në Mars 2018, në rënie me 83 mijë nga muaji i kaluar.
Ndër vendet anëtare, norma më e ulët u regjistrua në republikën Çeke, në 2.2%, ndjekur nga Malta dhe Gjermania me 3.3% dhe 3.4% në mënyrë respektive. Norma më e lartë vazhdon në Greqi me 20.6%, ndjekur nga Spanja me 16.1%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.