Eurotunnel përfiton 33 mln paund – Qeveria britanike zgjidh çështjen me kompaninë
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi se do të paguajë rreth 33 milionë paund për Eurotunnelin, në mënyrë që të zgjidhë çështjen.
Në përgjigje, Eurotunnel, që operon në shërbimet e hekurudhore mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, deklaroi se do të tërheqë padinë ndaj qeverisë britanike për marrëveshje të fshehta me tre kompani tragetesh në fund të vitit 2018.
Qeveria e Britanisë dhe Eurotunnel ranë dakord që paratë të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës në pjesën britanike të tunelit, ndërsa do të shtohen më shumë kontrolle dhe ekzaminime në doganë për transportin ndërkufitar, pas Brexit.
Referuar marrëveshjes, tuneli do të jetë kalimi kryesor për transportimin e mallrave, pas Britania të dalë zyrtarisht nga Bashkimi Europian.
Në fund të vitit 2018, Autoriteti i Transportit në Britani, në mënyrë sekrete nënshkroi disa marrëveshje, në vlerën e 108 milionë paund, me tre kompani tragetesh, për të siguruar transportimin ndërkufitar të disa produkteve të emergjencës, si ilaçet dhe ushqimet, nëse Britania del pa marrëveshje nga BE.
Eurotunnel i sfidoi marrëveshjet në gjykatë dhe e akuzoi qeverinë për shkeljen e konkurrencës së ndershme.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.