Eurozona konfirmon vrullin – Ekonomia zgjerohet me 0.6% në tremujorin e dytë
Ekonomia europiane u rrit me një normë prej 0.6% gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke zgjeruar kështu hapin, tregojnë të dhënat e fundit të Eurostat.
Në tre muajt e parë të vitit ndërkohë, ekonomia u rrit me një hap prej 0.5%. Të dhënat rezultojnë në linjë me pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve.
Të gjitha shifrat, përfshirë ato të ditëve të fundit, si inflacioni, norma e papunësisë, morali konsumator dhe ai i biznesit e kishin sinjalizuar një vrull të tillë.
Të dhënat nxisin edhe më shumë debatin brenda Bankës Qendrore Europiane për normalizimin gradual të politikave monetare, që pritet të fillojë në muajt e vjeshtës.
Të dhënat e Eurostat ndërkohë flasin për një rritje po në 0.6% të ekonomisë së 28-tëshes europiane përgjatë tremujorit të dytë.
Disa nga vendet anëtare të zonës së monedhës së përbashkët ndërkohë surprizojnë. Franca regjistron tremujorin më të mirë që prej vitit 2011, duke marrë shtysë nga investimet dhe eksportet.
Spanja raporton rritjen më të shpejtë që prej 2015. Të dhënat e Eurostat janë paraprake dhe do të vijnë të plota më 16 gusht.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.