Eurozona, mbi pritshmëritë – Moody`s rishikon projeksionet për Gjermaninë, Francën dhe Italinë
Eurozona do të njohë një rritje ekonomike përtej potencialit këtë vit dhe atë të ardhshëm, duke marrë shtysë nga vrulli i Gjermanisë, thotë Moody`s në raportin e publikuar së fundmi, dedikuar Eurozonës.
Eurozona në tërësi projektohet të rritet me një normë 0.3 pikë më të lartë se ajo që projektohej më parë, si këtë vit, ashtu edhe atë të ardhshëm. Agjencia e vlerësimeve, Moody`s ka rishikuar në rritje projeksionet për ekonominë italiane gjatë këtij viti.
Në raportin e saj të fundit, prestigjiozja, projekton një rritje të ekonomisë së tretë më të madhe të Eurozonës me një hap prej 1.3% përgjatë këtij viti. Më parë projektonte një rritje me vetëm 0.8%. Sipas agjencisë, rritja e projeksioneve merr shtysë nga politikat monetare dhe ato të bilancit, si dhe nga një rritje më e fortë ekonomike në të gjithë Bashkimin Europian.
Në territor pozitiv është rishikuar edhe rritja ekonomike e Gjermanisë, në 2.2%, nga 2% që projektohej më parë. E njëjta gjë vlen edhe për Francën,. Tashmë, ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës projektohet të rritet me një normë prej 1.6% përgjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.