Eurozona, më mirë nga sa mendohej – Eurostat rishikon rritjen ekonomike, në 0.6% gjatë T1

Eurozona u rrit me një hap më të shpejtë seç vlerësohej më parë gjatë tre muajve të parë të këtij viti, tregojnë të dhënat e fundit të zyrës së statistikave të Bashkimit Europian.
Vetëm pak orë përpara takimit të Bankës Qendrore Europiane, Eurostat njoftoi se ekonomia e rajonit të monedhës së përbashkët u rrit me 0.6% gjatë tremujorit të parë të këtij viti në terma mujorë, dhe me 1.9% në terma vjetorë.
Vlerësimet e mëparshme flisnin për një normë pranë 0.5 dhe 1.7% respektivisht. Sipas Eurostat, konsumi privat kontribuoi me 0.2 pikë në rritjen Prodhimit të Brendshëm Bruto të rajonit me 19 vende dhe shpenzimet qeveritare me 0.1%. Kontributi i tregtisë ndërkohë ka qenë neutral.
Këto të dhëna përforcojnë edhe njëherë faktin se, ekonomia e rajonit ka hyrë në ciklin më pozitiv të dekadës së fundit dhe se ky vrull do të konfirmohet edhe përgjatë tremujorit të dytë të vitit, ku projeksionet flasin për një normë rritje pranë 0.7%.
Edhe ekonomia e 28 vendeve të Bashkimit Europian u rrit me 0.6% gjatë periudhës Janar-Mars të këtij viti, nënvizon Eurostat.
Asnjë prej vendeve të Bashkimit Europian apo Eurozonës nuk është më në recesion, pasi Greqia raportohet të jetë rritur me 0.4% gjatë tremujorit të parë.
Vendi me rritjen më të shpejtë rezulton Rumania, ndërkohë që Norvegjia dhe Britania janë vendet me rritjen më të ngadaltë ekonomike, në 0.2%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.