Eurozona po shkëlqen – Biznesi si asnjëherë më parë në 6 vite, rritja në 0.6% në T1

Aktiviteti i biznesit në Eurozonë është rritur me hapin më të shpejtë në 6 vitet e fundit gjatë Shkurtit, ndërkohë që krijimi i vendeve të reja të punës ka prekur nivelin më të lartë në një dekadë, tregojnë të dhënat e fundit të Markit.
Numrat marrin shtysë nga kërkesa e fortë e brendshme dhe nga eksportet.
Indeksi PMI i Markit, që është një ndër indikatorët më të saktë dhe më të besueshëm të aktivitetit ekonomik, u rrit në 56 pikë gjatë Shkurtit, nga 54.5 pikë që shënonte në muajin e parë të vitit.
Asnjëherë më parë, indeksi PMI i rajonit për sektorin privat nuk kishte qenë më i lartë se kaq që prej muajit Prill të vitit 2011. Madje, zgjerimi sipas Markit, vihet re në një shkallë të gjerë, çka hedh poshtë edhe zërat që flisnin për një rritje të pabarabartë të Eurozonës.
Këto të dhëna, sinjalizojnë një rritje ekonomike të rajonit të monedhës së përbashkët me 0.6% gjatë tremujorit të parë të vitit, në rast se do të ketë vijimësi edhe përgjatë Marsit. Projeksionet ndërkohë flasin për një rritje në 0.4%.
Nënindikatori që mat punësimin u rrit gjithashtu në 53.8 pikë gjatë Shkurtit, që është edhe niveli më i lartë që prej Tetorit të vitit 2007.
Një rritje të ndjeshme regjistron sektori i shërbimeve, që është edhe më i madhi në Eurozonë, duke u ngjitur në 55.5 pikë nga 53.7 që ishte gjatë Janarit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.