Eurozona po shkëlqen – Forma më e mirë që prej 2011-ës, projeksionet do rishikohen

Bizneset në Eurozonë e kanë nisur tremujorin e dytë të vitit me ritmin më të lartë në 6 vite, tregon indeksi i fundit PMI, një ndër matësit më të saktë të aktivitetit ekonomik.
Të dhënat konfirmojnë se tremujori i parë nuk ishte thjesht një rastësi, dhe se, ekonomia e bllokut ka hyrë tashmë në një cikël të qëndrueshëm.
Shifrat sinjalizojnë gjithashtu një normë rritje të ekonomisë së rajonit prej 0.7% gjatë tremujorit të dytë. Vetëm pak ditë më parë, të dhënat e Eurostat flisnin për një normë rritje të ekonomisë me 0.5% gjatë tre muajve të parë të vitit.
Indeksi PMI i Markit u ngjit kështu në 56.8 pikë gjatë prillit, nga 56.4 pikë që fiksohej në muajin Mars. Kjo është norma më e lartë që prej vitit 2011, dhe rezulton gjithashtu lehtë mbi pritshmëritë e tregjeve.
Sa i përket ekonomive kryesore të rajonit, indeksi flet për të dhëna mjaft optimiste. Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja po rriten, dhe janë të qëndrueshme në këtë rritje.
Nën-indikatori që i referohet sektorit të shërbimeve u ngjit ndjeshëm gjatë Prillit, po në 56.4 pikë, që është niveli më i larët që prej Prillit të vitit 2011. Sektori i shërbimeve zë dy të tretat e ekonomisë së rajonit.
Me shumë gjasa, këto të dhëna do të nxisin një rishikim të projeksioneve për rritjen ekonomike të rajonit gjatë këtij viti, si nga qeveritë, ashtu edhe nga institucionet kryesore ndërkombëtare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.