Eurozona ruan vrullin – Ekonomia vazhdon rritjen e fortë në tremujorin e katërt
Ekonomia e Eurozonës ka ruajtur vrullin në fund të vitit të kaluar, duke treguar për një performancë të fortë edhe për 2018-ën që mund të bindë politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane për të hequr stimujt monetarë.
Eurostat raporton se Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.6% në tremujorin e katërt nga i treti dhe me 2.7% me bazë vjetore, duke konfirmuar vlerësimin paraprak. Sipas Eurostat, rritja është ngadalësuar në Gjermani dhe Itali, ndërsa në Holandë dhe Portugali ka treguar vrull.
Komisioni Europian bëri të ditur më herët gjatë muajit se ekspansioni i 19 vendeve të valutës së përbashkët është i balancuar, ndërsa Fondi Monetar Monetar ka rritur perspektivën për kontinentin në 2018-ën.
Politikëbërësit e BQE kanë thënë se kanë besim që rritja e fortë ekonomike do të shkaktojë nxitje të çmimeve, duke hapur rrugën e tyre për heqjen e stimujve monetarë.
Rimëkëmbja e Gjermanisë, pavarësisht ngadalësimit në tremujorin e katërt, vazhdon të ketë kontribut kryesor në rritjen e Eurozonës. Ngadalësimi erdhi nga shpenzimet private dhe ndërtimi, ndërkohë që eksportet dhe investimet në pajisje treguan rritje.
Ekonomia e Holandës ka përfituar gjithashtu nga tregtia e fortë globale, ndërkohë që Produkti i Brendshëm Bruto i vendit u rrit me 0.8%, duke thyer projeksionet. Ekonomia italiane u ngadalësua në 0.3%, duke mbetur pas Francës dhe Gjermanisë.
Eurostat ka publikuar edhe të dhënat mbi prodhimin industrial, që ka patur rritje me 0.4% në Dhjetor 2017, në rënie nga Nëntori, por sipër projeksioneve të analistëve për një rritje me 0.1%. Me bazë vjetore, prodhimi industrial është rritur me 5.2%, sipër normës prej 3.7% që ishte në Nëntor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.