Eurozona s`ndal vrullin – Aktiviteti i biznesit sinjalizon një rritje ekonomike në 0.6% për T3
Aktiviteti i biznesit në Eurozonë ruajti hapin pozitiv edhe gjatë Gushtit, tregojnë të dhënat e fundit, që flasin gjithashtu për një rritje të presionit mbi çmimet.
Të dhënat më të fundit tregojnë një vrull më të madh të ekonomisë së përbashkët europiane gjatë këtyre muajve.
Indeksi PMI i Markit që është edhe një ndër matësit më realë të aktivitetit ekonomik, u fiksua në 55.7 pikë gjatë gushtit, në nivele të pandryshuara në krahasim me muajin Korrik.
Të dhënat paraprake ndërkohë flisnin për një lexim pranë 55.8 pikëve. Niveli i 50 pikëve ndan rritjen nga kontraktimi dhe në rajon qëndron mbi këtë nivel që prej mesit të vitit 2013.
Ekspertët argumentojnë se, këto të dhëna me shumë gjasa do të reflektohet në shifrën e rritjes ekonomike gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Me shumë gjasa, rritja do të jetë në 0.6%, sinjalizojnë këto të dhëna.
Pritshmëritë ndërkohë flisnin deri pak kohë më parë për një normë rritje pranë 0.4%. Edhe nën-indikatori i prodhimit u rrit lehtë gjatë gushtit. Të dhënat rrisin edhe më tej presionin ndaj bordit të Bankës Qendrore Europiane që të ndërhyjë në programin e blerjes së titujve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.