Eurozonë, ngadalësohet inflacioni – Bie në 1.4% për Tetorin, shpjegon zgjatjen e stimujve nga BQE
Inflacioni në bllokun e monedhës së përbashkët është ngadalësuar gjatë Tetorit, pavarësisht fuqizimit të ekonomisë gjatë periudhës. Kjo shpjegon edhe zgjatjen e afatit të stiumujve monetarë nga Banka Qendrore Europiane në javën e kaluar.
Rritja e çmimeve u ngadalësua në 1.4% nga 1.5% që ishte në Shtator, duke rënë poshtë vlerësimeve të analistëve. Duke sjellë një sfidë për Bankën Qendrore Europiane, inflacioni bazë shënoi 0.9%, duke rënë poshtë 1%-shit për të parën herë në 5 muaj.
Ndër komponentët, ndikimin më të madh negativ e shkaktoi rritja e ngadaltë e çmimeve të energjisë, me 3% nga 3.9% që rezultoi në Shtator. Euro qëndroi në rënie kundër dollarit amerikan pas raportimit, ku preku $1.1629.
Të dhënat e fundit paraqesin dilemën e Bankës Qendrore Europiane, ndërkohë që treguesi mbi ndjesinë ekonomike ka shënuar nivelin më të lartë në 17 vite, ekonomia është rritur për të 18-in tremujor radhazi duke mbështetur edhe punësimin, ndërsa inflacioni qëndron ende poshtë objektivit prej rreth 2%.
Presidenti i institucionit Mario Draghi, theksoi perspektivën e përmirësuar mbi ekonominë e Eurozonës, megjithatë shtoi se duhet një qasje graduale për përfundimin e stimujve monetar të bankës.
Në takimin e muajit Tetor, BQE reduktoi blerjet mujore në 30 miliardë euro në muaj, nga €60 miliardë, por zgjati afatin e programit deri në Shtator të vitit që vjen. Ndër faktorët që kanë kontribuar në rritjen e ngadaltë të çmimeve, jo vetëm në eurozonë, përfshihet globalizimi si dhe rritja e madhe e shitësve me pakicë online, si Amazon.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.