Eurozonë, shitjet me pakicë – Shpenzimet për veshje rrisin indeksin, konsumi i karburantit bie

Shitjet me pakicë në Eurozonë janë rritur sipër projeksioneve për muajin Shkurt, ndërkohë që blerësit kanë bërë më shumë shpenzime për veshje në krahasim me muajin Janar, pavarësisht inflacionit më të lartë.
Sipas zyrës së Statistikave të Bashkimit Europian, shitjet me pakicë në 19 vendet e Eurozonës u rritën me 0.7% në Shkurt nga Janari, sipër pritshmërive prej 0.5%. Në muajin Shkurt me bazë vjetore, indeksi i shitjeve me pakicë u rrit në 1.8%.
Këto të dhëna tregojnë një rritje të kërkesës për mallra konsumi, në një kohë të rritjes së nivelit të çmimeve. Megjithatë, inflacioni në Eurozonë ra përsëri në muajin Mars, në 1.5%, nga 2% që ishte në Shkurt. Kjo performancë pozitive erdhi kryesisht prej një rritje me 0.9% në blerjet e produkteve jo-ushqimore, një kategori që përfshin veshjet, pajisjet elektronike, produktet farmaceutike dhe tregtinë online.
Shitjet e tekstileve, veshjeve dhe këpucëve u rritën me 2.2%, ndërsa shpenzimet për karburant ranë me 0.9% për muajin. Rritja më e madhe e indeksit të shitjeve me pakicë rezultoi në Portugali, në rritje me 3.1%, ndërsa për Gjermaninë, indeksi arriti 1.8%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.