Evadimi i mbetjeve spitalore – Mbi 10 mln lekë deri në fund të 2017
Mbi 10 milionë lekë pa TVSH do të kushtojë trajtimi i mbetjeve spitalore deri në fund të vitit 2017. Kjo shumë do të përdoret nga dy spitale rajonale, nga materniteti “Mbretëresha Geraldinë” si dhe nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.
Trajtimi i mbetjeve spitalore shpesh herë kthehet në problematikë pasi kompanitë që përzgjidhen për trajtimin e tyre nuk i përmbahen standardeve të vendosura nga OBSH.
Këto problem janë më të mëdha në spitalet rajonale. Në spitalet rajonale që do të përdorin fondin limit prej 10 milionë lekë për trajtimin e mbetjeve është spitali rajonal i Fierit dhe spitali rajonal i Kukësit.
Spitali i Fierit do të ketë një fond limit prej 3.9 milionë lekë për trajtimin e mbetjeve deri në fund të vitit 2017, ndërsa spitali i Kukësit do të ketë në dispozicion një fond limit prej 1.6 milionë lekë pa TVSH për evadimin e mbetjeve spitalore.
Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” do të përdorë, deri në fundit të 2017, një fond limit prej 2.9 milionë lekë pa TVSH për shërbimin e evadimit, transportit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore.
Ndërsa për evadimin dhe trajtimin e mbetjeve infektive spitalore, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut do të ketë në dispozicion një fond limit prej 1.6 milionë lekë pa TVSH.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.