Exxon, $20 mld investime – Trump: Kjo është histori e vërtetë suksesi amerikane

Exxon Mobil, që është edhe prodhuesi më i madh i naftës në Botë i kuotuar në bursë deklaroi se do të investojë 20 miliardë dollarë deri në vitin 2022, për të zgjeruar aktivitetin e fabrikave, sidomos atyre të naftës dhe atyre kimike.
Investimi do të prekë 11 fabrika dhe pritet të krijojë 35 mijë vende pune të përkohshme si dhe 12 mijë vende pune të përhershme. Ky plan duket se i shkon për shtat politikave të reja amerikane me Donald Trump në krye.
Ky i fundit kërkon investime nga kompanitë në mënyrë që të krijojnë sa më shumë vende pune brenda vendit, dhe jo jashtë.
Investimet më të mëdha do të kryhen mes Texasit dhe Louisianës, duke shfrytëzuar kostot e ulëta të naftës argjilore.
Muajin e kaluar, Exxon Mobil u angazhua që të rrisë shpenzimet për vitin aktual me 16%, kryesisht në drejtim të naftës argjilore. Donald Trump e ka quajtur planin e Exxon si një histori të vërtetë suksesi amerikane.
“Ky është pikërisht lloji i investimit, zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës që do të ndihmojë amerikanët t`i rikthehen punës“, deklaroi Donald Trump.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.