Fabrikë e re e bakrit në Mirditë, Rama: Punësohen 300 persona, impakti në ekonomi 6 mln usd/vit
Një fabrikë e re e pasurimit të bakrit është ndërtuar në Spaç, duke i dhënë shtysë zhvillimit ekonomik dhe punësimit në këtë zonë. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet e fabrikës së re, ku bën me dije se aktualisht janë punësuar 300 individë.
Rama bën me dije se investimet e fazës së parë kanë arritur në një vlerë prej 11 milion dollarësh, të cilat kanë shkuar për teknologji bashkëkohore që mbron mjedisin nga ndotja.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bën me dije se këto investime pritet që të kenë impakt ekonomik në të gjithë zonën e Mirditës në një vlerë prej 6 milion dollarë në vit.
Qytetet këtyre anëve kanë lindur nga zhvillimi i industrisë. Dikur, Rubiku kishte një minierë nxjerrëse, një uzinë përpunuese të bakrit dhe njërën nga ndërmarrjet më të mëdha gjeologjike në vend.
Edhe Rrësheni, qendra administrative e rrethit të Mirditës, kishte një fabrikë pasurimi. Banorët e Repsit mblidhnin bakrin e Spaçit, Gurthit, Majës së Madhe dhe e pasuronin në dy fabrikat e pasurimit, ndërtuar njëra pas tjetrës në këtë qytet që ishte ngritur falë industrisë nxjerrëse dhe përpunuese pas vitit ’65-së.
Fabrikat u shkatërruan pas viteve ‘90 dhe tashmë janë rivënë sërish në funksion, duke kontribuuar direkt në punësimin e banorëve të këtyre zonave.
MIRËMËNGJES ?dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje të Fabrikës së re të Pasurimit të Bakrit në Spaç, ku përveç 300 të punësuarve të rinj, investimet e fazës së parë prej 11 milionë dollarësh në teknologji bashkëkohore që mbron mjedisin, pritet të kenë një impakt ekonomik rreth 6 milionë dollarë në vit për gjithë zonën e Mirditës?
Posted by Edi Rama on Wednesday, January 3, 2018
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.