Facebook humbet $150 mld – Bie me 24% në vlerë tregu, dështon të arrijë projeksionet në T2
Facebook dështoi të arrijë projeksionet për të ardhurat dhe numrin e përdoruesve aktiv ditor, pas skandalit të të dhënave. Kompania raportoi të ardhurat për tremujorin e dytë në nisje të sesionit tregtar në SHBA ditën e Mërkurë, ku aksionet u mbyllën në rënie me rreth 24%. Kompania humbi rreth 150 miliardë dollarë në vlerë tregu. Facebook deklaroi se 2.5 miliardë njerëz kanë përdorur aplikacionet e grupit çdo muaj, përfshirë Instagram dhe WhatsApp.
Edhe pse Përdoruesit Aktiv Ditor (DAU) patën rritje me 11% me bazë vjetore, kryesisht nga India, Indonezia dhe Filipinet, norma ishte poshtë projeksioneve të Wall Street. Numri i përdoruesve pati rënie në Europë, duke prekur 279 milionë, pas efekteve të vendosjes së Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave në Bashkimin Europian. Numri i Përdoruesve Aktiv Ditor në Amerikën e Veriut mbeti i pandryshuar, pavarësisht skandalit të nxjerrjes së të dhënave. Megjithatë, të ardhurat mesatare për përdorues në këtë rajon u rritën në 25.91 dollarë, nga 23.59 që ishte në tremujorin e parë. Në të gjithë botën, të ardhurat mesatare për përdorues arritën në 5.97 dollarë, krahasuar me 5.95 dollarë.
Facebook dështoi të arrijë projeksionet e të ardhurave nga reklamimi, duke gjeneruar 13.04 miliardë dollarë, nga 13.16 mld që pritej. Në një bisedim me analistët, Facebook udhëzoi se pret që rritja e të ardhurave të ngadalësohet në gjysmën e dytë të këtij viti. Disa prej arsyeve përfshin investimin e Facebook në “Stories”, që ka nivele më të ulëta të monetizimit, si dhe nga përmirësimi i karakteristikave të privatësisë nga rregulloret europiane. Kompania po përballet me luhatje në valutë ndërkohë që dollari është dobësuar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.