Facebook (Meta) do ta na kujtojë gjithçka në përditshmëri falë inteligjencës artificiale!
Meta, identiteti i ri i Facebook, ka shpallur një sistem të inteligjencës artificiale të aftë për të memorizuar dhe ripërpunuar gjithçka që shohim, themi ose bëjmë.
Ku i lashë çelësat e makinës? Çfarë tha kolegu im gjatë takimit të djeshëm? Ku e pashë atë recetë të shijshme? Pyetje që bashkë me të tjera të ngjashme na shoqërojnë në ditët tona, duke mbetur shpeshherë pa përgjigje. Por gjërat mund të ndryshojnë së shpejti.
Facebook, ose më saktë Meta, është duke punuar në një sistem të inteligjencës artificiale të aftë për të memorizuar, dhe më pas për të ripërpunuar, gjithçka që shohim, themi ose bëjmë gjatë ditës sonë – dhe kështu të krijojë një arkiv të pakufi të të dhënave që do ta bëjë të pamundur harresën e gjerave dhe kjo do ta bëjë çdo aspekt të jetës sonë të përdorshme për sistemet e inteligjencës artificiale.
Ky është një projekt me horizont mjaft të gjatë që synon të trajnojë një lloj të ri të inteligjencës artificiale që të jetë në gjendje të shohë dhe dëgjojë botën në vetën e parë, ashtu si ne. Sistemet e AI të zhvilluara deri më sot janë trajnuar duke përdorur foto ose video, d.m.th. imazhe dhe tinguj të së kaluarës, të zgjedhura sipas nevojës. Meta dëshiron të bëjë një hap përpara, duke e bërë inteligjencën artificiale të aftë për të bashkëvepruar me botën e jashtme në kohë reale, duke zbatuar aftësitë e saj për atë që ndodh në “këtu dhe tani”, ashtu si truri i një qenieje të gjallë që percepton stimulon dhe reagon në përputhje me rrethanat.
Sipas inxhinierëve të Metës, kjo gjeneratë e re e inteligjencës elektronike do të jetë teknologjia mundësuese për realitetin e shtuar të së ardhmes. Mund të përdoret në telefonat inteligjentë të aftë për të bashkëvepruar me përdoruesin në mënyra të paarritshme sot për AI konvencionale. Për shembull, duke na kujtuar se i kemi hedhur njëherë kripë makaronave, se kemi harruar të marrim ilaçet në mbrëmje ose se po lëmë kartën e kreditit brenda në bankomat pasi të kemi tërhequr lekë.
Por që një sistem i tillë të funksionojë, duhet të jetë në gjendje të ndjekë dhe vëzhgojë përdoruesin 24 orë në ditë gjatë ditës: Meta ka hedhur tashmë një hap të parë në këtë drejtim, duke zhvilluar syzet e saj inteligjente së bashku me Ray-Ban. Tani për tani, këto janë syze të pajisura me një aparat fotografik dhe mikrofon që mund të bëjnë fotografi dhe të bëjnë video, por, së bashku me pajisje të tjera të ngjashme, ato mund të bëhen zemra e projektit Ego4D.
Projekti realizohet nga Meta së bashku me 13 institute universitare dhe është i pari i këtij lloji. Deri më sot, një grup i parë i të dhënave është krijuar tashmë i cili mbledh mbi 3200 orë ditore të 855 vullnetarëve në 9 vende të ndryshme dhe i cili do të vihet në dispozicion për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në zhvillimin e aplikacioneve të gjeneratës së re si një terren trajnimi për sistemet e AI.
Kjo qasje e re ndaj inteligjencës artificiale ka ngritur padyshim dyshime të shumta në lidhje me privatësinë: një zëdhënës i Facebook i intervistuar mbi këtë temë shpjegoi se mbrojtja e të dhënave dhe informacionit do të jetë para së gjithash përgjegjësi e zhvilluesve të aplikacioneve të reja, të cilat do të duhet të bëjnë që produktet dhe teknologjitë e tyre t’u kërkojnë përdoruesve të gjitha lejet e nevojshme. Focus
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.