Facebook nxjerr tre opsione që lidhin përfaqësuesit e zgjedhur me përdoruesit
Facebook bëri publike tre veçori të reja, të cilat synojnë të rrisin angazhimin e përdoruesve në Shtetet e Bashkuara, duke i lidhur më thjesht me përfaqësuesit e tyre në qeverisje.
Një nga këto opsione quhet “pulla e të zgjedhurit”, që lejon personat të identifikohen si përfaqësues të zgjedhur në distriktin ku jetojnë përdoruesit. Kjo pullë do të jetë e dukshme kur një përdorues komenton në përmbajtje të shpërndara nga përfaqësuesit e tyre federalë, shtetërorë e lokalë.
Opsioni i dytë quhet “të dhënat e të zgjedhurit”, ku këtyre zyrtarëve do t’u jepet mundësia të zbulojnë lajme të cilat janë popullore në distriktin ku ata janë zgjedhur.
Ndërsa opsioni i fundit që mbyll paketën quhet “Targetim distrikti” dhe krijon një audiencë të selektuar në mënyrë që faqet e politikanëve të mund të ofrojnë përmbajtje të drejtuar specifikisht tek përdoruesit që jetojnë në zonën e tyre.
Këto veçori të reja të ofruara nga rrjeti social kanë si qëllim edhe të rehabilitojnë imazhin e Facebook në sytë e përdoruesve, medias dhe politikës. Platforma kishte qenë në fokusin e kritikave të të dyja palëve në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, pasi akuzohej se po bënte shumë pak për të luftuar lajmet false ose kequdhëzuese.
Edhe Hillary Clinton u shpreh se gjatë fushatës së saj, Facebook ishte i mbushur me plot informacione false për të dhe njerëzit natyrisht që u gënjyen. Ajo tha se donte që Facebook të kuronte rrjetin e tij në mënyrë më agresive.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.