Fakulteti Ekonomik dhe “urat” me tregun e punës! Intervistë me zëvendësdekanin e Fakultetit Ekonomik, Alban Korbi
Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës po përpiqet të orientohet më shumë drejt kërkesave të punës. Në një intervistë për “Scan Magazine“, zvëndesdekani, Alban Korbi, thotë se një diplomë e marrë, mund të shërbejë për formimin e përgjithshëm apo njohuri specifike, por pa orientimin e duhur në tregun e punës, nuk ka plotësisht vlerë për zotëruesin e saj.
Sa i përfshirë është Fakulteti Ekonomik në programe që orientojnë studentët me tregun e punës?
Fakulteti i Ekonomisë ka shtuar tashmë prej disa vitesh, vëmendjen në këtë aspekt dhe po planifikon ta ketë këtë një pjesë shumë të rëndësishme në strategjinë insititucionale të zhvillimit afatmesëm dhe afatgjatë. Një element që mund të përmendet në këtë drejtim, është zyra e karrierës e cila shërben për njoftimin e mundësive tek studentët për punësim dhe praktika të ndryshme profesionale të cilat janë ose jo pjesë e programit mësimor, por edhe për komunikim të vazhdueshëm me institucionet publike e private. Një element tjetër janë leksionet e hapura që zhvillohen nga përfaqësues të institucioneve publike dhe private, nismë që ka filluar prej disa vitesh dhe vazhdon aktualisht. Në këto leksione të hapura dhe prezantime, studentët informohen mbi mundësi punësimi, praktikash profesionale, mënyrat e aplikimit etj, mund të dorëzojnë CV drejtpërdrejt etj. Orientimi i studentëve në tregun e punës, është një ndër objektivat më të rëndësishëm që duhet të arrihen nga institucionet e arsimit të lartë, pasi tregu i punës është një ndër arsyet kryesore për të cilën studentët ndjekin studimet e tyre universitare. Një diplomë e marrë, mund të shërbejë për formimin e përgjithshëm apo njohuri specifike, por pa orientimin e duhur dhe pa gjetur drejtimin e duhur në tregun përkatës të punës, nuk ka plotësisht vlerën e duhur për zotëruesin e saj dhe nuk mund të jetë kurrsesi e mjaftueshme.
A ka ka hapur degë të reja Fakulteti Ekonomik?
Në nivelin bachelor, prej mbi 10 vitesh, është hapur dhe vazhdon me sukses dega e Informatikës Ekonomike, e cila u mundëson studentëve të marrin njohuri në dy drejtime, atë të informatikës, por edhe të ekonomisë, krahas degëve tashmë të konsoliduara të Financës, Administrim Biznesit dhe Ekonomiksit. Në nivelin Master, pas një tradite të konsoliduar që në vitet 90’, duke qenë fakulteti i parë në Shqipëri që hapi studimet e nivelit Master, në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës në SHBA dhe atë të Bambergut në Gjermani, me pedagogë të huaj dhe vendas, vitet e fundit mund të përmenden programe Master në bashkëpunim me “Deloitte” dhe Universitetin e Torinos. Ndër këto programe Master mund të përmenden Master i Shkencave në Siguri Informacioni, Master Profesional në Financë, Kontabilitet dhe Auditim, Master Profesional në Teknologji Informacioni dhe Menaxhim të Proceseve të Biznesit etj. Gjithashtu në vitin akademik 2018-2019, fillon mësimi edhe në programin e ri Master i Shkencave në Menaxhim Risku, me rreth 10 partnerë ndërkombëtarë, institucione të huaja të arsimit të lartë dhe qendra studimore ndërkombëtare.
Ka ndryshim në kurrikula?
MASR nuk ndërhyn në kurrikulat ekzistuese të IAL. IAL janë të detyruara të përcjellin në MAS dokumentacionin përkatës për hapjen e programeve të reja të studimit, apo për ndryshimin e atyre ekzistuese mbi masën 20%. Deri në këtë masë, MASR thjesht njoftohet për ndryshimet e kryera, sipas afateve ligjore. Pra, në këtë aspekt mund të themi se ekziston liria akademike e nevojshme për të bërë ndryshimet e nevojshme në kurrikula dhe me kohën e mjaftueshme në dispozicion.
A keni bashkëpunim me kompani dhe biznese?
Bashkëpunimi përveç Zyrës së Karrierës dhe leksioneve të hapura e prezantimeve të përmendura më lart, realizohet edhe nëpërmjet Panairit të Karrierës të organizuar të paktën dy herë në vit me mbi 60 institucione publike e private të mëdha, Panairit të Administratës Publike në bashkëpunim me DAP etj. Në këto panaire ashtu si edhe në të tjerë të organizuar për studime apo punësim në Francë etj., studentët mund të marrin informacione të nevojshme mbi mundësitë e punësimit dhe të praktikave profesionale, të dorëzojnë CV aty drejtpërdrejt, etj. Ky angazhim është reflektuar në punësimin e studentëve, por patjetër që ka vend dhe nevojë për përmirësim të mëtejshëm. Kjo është një pikë të cilës po i vihet gjithmonë e më tepër theksi në strategjinë afatmesme dhe aftagjatë të zhvillimit të Fakultetit. Gjithashtu në organigramën e re të miratuar vitin e kaluar në Fakultetin e Ekonomisë, parashikohet të ketë staf me kohë të plotë i cili do të merret pikërisht me mbështetjen maksimale në arritjen sa më të mirë të këtij objektivi.
Sa studentë të Fakultetit Ekonomik rezultojnë të punësuar në një kohë që edhe studiojnë?
Në nivelin Bachelor mund të themi që kjo është në nivelet 10-15%, edhe për shkak të tipit të studimeve të këtij niveli, kohën e kufizuar, etj. Në nivelin e studimeve Master, kryesisht në Master Profesional, punësimi është në nivelet 65-70%. Për këtë arsye dhe mësimi i studentëve të këtij niveli është spostuar prej dy vitesh në oraret e pasdites, si pasojë e kërkesës së vazhdueshme të studentëve të këtij niveli, të cilët janë të punësuar dhe që përbëjnë shumicën.
Nertila Doko/ SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.