Falen 19.9 miliardë lekë – Tatimet dhe Doganat po “pastrojnë” detyrimet e bizneseve
Ligji i miratuar disa muaj më parë, për faljen e borxheve që biznesi i ka administratës fiskale tashmë thuajse është në fazën përmbyllëse. Sipas statistikave të administratës fiskale deri më tani, nga detyrimet tatimore janë falur 18.3 miliardë lekë ndërsa nga detyrimet doganore 1.6 miliardë lekë.
Sipas relacionit që shoqëron këtë ligj, vlera e faljes së borxheve që qytetarët apo bizneset i kanë shtetit është përllogaritur në 91 miliardë lekë.
Vlera e taksave të mjete të përdorura që çregjistrohen sipas te dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit te Transportit Rrugor është përllogaritur rreth 11.9 miliardë lekë. Po sipas ligjit janë të ndara me periudha të gjitha mënyrat e pagesave dhe të faljeve.
Gjatë dy viteve të fundit 2015-2016 administratat tatimore dhe doganore kanë ndërmarrë një sërë masash veprimi kundër informalitetit në vend. Ky plan kundër informalitetit është shoqëruar në të njëjtën kohë me një sere masash për thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave fiskale. Kjo duke synuar reflektimin e pritshmërive dhe kërkesat e sipërmarrjes në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe mirëadministrimit tatimor. Por për këtë nismë ka patur dhe disa kërkesa shtesë nga komuniteti i biznesit, për shtyrje të disa afateve të përfitimit nga kjo falje. Afati i fundit i përfitimit nga ky ligj është 31 dhjetori i këtij viti.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.