Falen gjobat e pandemisë dhe tërmetit – Subjekteve do t’u kthehen paratë dhe lejet brenda 15 Nëntorit
Të gjitha gjobat e vendosura nga autoritetet shtetërore përkatëse për individët apo bizneset, për shkeljen e rregullave të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, do të falen. Qeveria ka miratuar aktin normativ, që amniston masat administrative të aplikuara nga ata 17 Prill deri më 7 Tetor 2020. Po ashtu, amnisti do të ketë edhe për riparimet e bëra jo konfrom ligjit për të prekurit nga tërmetet.
Sipas aktit normativ, falen të gjitha masat administrative të vendosura nga strukturat e njësive të vetëqeverisjes vendore ndaj familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore, tërmetet e datave 21 shtator dhe 26 nëntor 2019, për shkeljet e konstatuara gjatë kryerjes së punimeve për riparimin/rindërtimin e banesave individuale. Ndërkaq, dokumenti saktëson se për ato subjekte që i kanë paguar tashmë gjobat, kthimi i shumave pranë llogarive të tyre bankare do të bëhet brenda datës 15 nëntor 2020.
Institucionet që kanë pasur këtë kompetencë, brenda këtij muaji duhet të përgatisin listat e subjekteve përfituse. Po ashtu, edhe për masat që kanë të bëjnë me bllokim lejesh/licencash apo mjetesh, kthimi do të bëhet brenda datës 15 nëntor 2020 te subjekti përfitues.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.