Falimenton “Takata” – E paprecedentë në Japoni, instaloi 100 mln airbag me defekt

Takata, firma japoneze, që prodhon sistemet e airbag, dhe që është ndër më të mëdhatë në sektor në nivel global, ka bërë kërkesë për faliment në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japoni.
Takata u përfshi në një skandal gjigand 3 vite më parë, dhe prodhoi tërheqjen më të madhe të makinave në historinë e sektorit automobilistik. Ky do të ishte falimenti më i madh për një firmë japoneze.
Vete kompania njofton se do të blihet nga amerikania Key Safety Systems për vetëm 1.6 milionë dollarë. Detyrimet e kompanisë, të cilat mesa duket nuk ka asnjë shans që t`i shlyejë, fiksohen në 15 miliardë dollarë.
Gjithsesi ky është një vlerësim paraprak, pasi detyrimet përfundimtare të kompanisë, do të përllogariten më vonë, pasi të ketë përfunduar procesi i negocimit mes kompanisë dhe prodhuesve për të zëvendësuar pjesët e dëmtuara.
Kompania amerikane që do të blejë Takatan, ka pranuar që të mbajë të 60 mijë punonjësit e firmës japoneze në 23 vende të ndryshme të botës si dhe të mbajë fabrikat që ka në Japoni.
Kjo gjë do t`i mundësojë Takatas që të mos e ndalojë punën në asnjë moment. Kujtojmë se, janë rreth 100 milionë mjete motorike në të gjithë botën në të vilat është instaluar sistemi i airbag difektoz i Takatas, dhe që prodhoi këtë skandal.
Vetëm kostot e zëvendësimit të këtyre airbagëve mund të shkojnë në 10 miliardë dollarë, pa llogaritur paditë ligjore. Kompania ka humbur 95% të vlerës së saj, që prej vitit 2014 kur shpërtheu edhe skandali.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.