Falimenton Thomas Cook – Lë mbi 600,000 udhëtues pa kthyer. Qeveria refuzoi ta ndihmojë
Firma më e vjetër në botë e udhëtimeve, Thomas Cook, falimentoi ditën e Hënë, duke i lënë qindra mijëra personave në të gjithë botën pushimet përgjysmë. Kryeministri britanik, Boris Johnson, premtoi të rikthejë udhëtuesit në shtëpi dhe bëri të ditur se qeveria kishte refuzuar kërkesën e Thomas Cook për ta shpëtuar për 187 milionë dollarë, për shkak të “dëmit moral”.
Likuidimi shënon fundin e një prej kompanive më të vjetra të Britanisë, që nisi në vitin 1841 duke operuar ekskursionet me trena dhe i ka mbijetuar 2 luftërave botërore. Kompania drejtonte hotele, resorte dhe linja ajrore për më shumë se 19 milionë njerëz në vit, në 16 vende të ndryshme. Aktualisht ka 600,000 persona jashtë vendit, çka detyron qeveritë dhe kompanitë e sigurimeve që të koordinojnë një operacion të shpëtimit. Kreu ekzekutiv Peter Fankhauser tha se është i penduar që kompania u detyra të dalë jashtë tregu pasi dështoi të sigurojë një paketë të shpëtimit nga huadhënësit në bisedimet e ndërmarra gjatë fundjavës.
“Pavarësisht përpjekjeve në muajt e fundit, ne dështuam të arrijmë një marrëveshje që do shpëtonte biznesin tonë. Rezultati i këtij dështimi do shkaktojë ankth, stres dhe ndërprerje. I kërkoj ndjesë 21 mijë kolegëve dhe të gjithë klientëve që ndodhen me pushime dhe atyre që kanë bërë porosi. I kërkoj gjithashtu ndjesë mijëra bizneseve të hotelerive që kanë qëndruar besnik ndaj nesh në kohë të vështira,” tha Fankhauser.
Autoriteti i Aviacionit Civil në Mbretërinë e Bashkuar bëri të ditur se tregtia e Thomas Cook në bursë ka ndaluar dhe rregullatorët e Qeveria po përgatisin një flotë të avionëve që të nisin rikthimin e mbi 150,000 klientëve britanik brenda 2 javëve e ardhshme. Klientët janë informuar që të mos shkojnë në aeroport deri sa të njoftohen në një faqe të veçantë se i është organizuar një fluturim kthimi nga Qeveria. Rregullatorët britanik kanë kontaktuar gjithashtu hotelet e klientëve të Thomas Cook, që t’i njoftojnë se kthimi do paguhet nga Qeveria nëpërmjet një skeme të sigurimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.