Falja e taksave të automjeteve – Si të verifikoni targën on-line, Tirana “thyen” rekord

Personat që kanë në pronësi një mjet për të cilin nuk kanë paguar detyrime ndër vite dhe nuk kanë kryer veprime pas Dhjetorit të vitit 2011, mund të bëjnë paraprakisht verifikimin e targës dhe karakteristikat e tjera të mjetit, për të konfirmuar nëse janë përfitues të amnistisë, përmes faqes zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Verifikimi mund të bëhet në websiten dpshtrr.gov.al sipas drejtorive rajonale. Referuar të dhënave nga ky institucion, numrin më të lartë të mjeteve për të cilat nuk janë paguar detyrimet e mban Drejtoria Rajonale Tiranë me 21.207 automjete në total, shifër disa herë me e lartë se drejtoritë e tjera, e ndjekur nga Vlora me 7929 mjete, Durrësi me 7663 mjete, Shkodra, Fieri, Laçi, etj.
Numri më i ulët i drejtuesve që përfitojnë nga falja regjistrohet në Sarandë me 1568 mjete. Automjetet e përfshira në listë janë mesatarisht të vit-prodhimit nga 1990 deri në 2010-ën. Subjektet /personat përgjegjës kanë afat që brenda datës 31 Dhjetor 2017 të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të kryer, pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar mbajtjen aktiv të tij.
Përfitues nga ky ligj janë rreth 100 mijë drejtues automjetesh në të gjithë vendin. Kosto e amnistisë është llogaritur në rreth 11.9 miliardë lekë.
Tabelë
Numri i mjeteve sipas qyteteve
Drejtoria Rajonale Tiranë 21207 mjete
Drejtoria Rajonale Vlorë 7929 mjete
Drejtoria Rajonale Durrës 7663 mjete
Drejtoria Rajonale Shkodër 7546 mjete
Drejtoria Rajonale Fier 5804 mjete
Drejtoria Rajonale Laç 4742 mjete
Drejtoria Rajonale Korçë 4349 mjete
Drejtoria Rajonale Elbasan 4333 mjete
Drejtoria Rajonale Gjirokastër 3140 mjete
Drejtoria Rajonale Berat 2850 mjete
Drejtoria Rajonale Kukës 1961 mjete
Drejtoria Rajonale Dibër 1811 mjete
Drejtoria Rajonale Sarandë 1568 mjete
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.