Falja fiskale – Financat dërgojnë në qeveri draftin

Qeveria pritet të miratojë draftin e shumëpërfolur “të amnistisë”, të hartuar nga Ministria e Financave. Sipas burimeve nga ky dikaster, drafti përfundimtar tashmë, i dakortësuar edhe me ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar është dorëzuar pranë Këshillit të Ministrave për miratim. Puna nga ekspertët e financave ka nisur që në mesin e vitit 2016, për tu finalizuar në shkurt të këtij viti.
Ky draft pritet të fshijë taksat e papaguara, gjobat dhe kamatëvonesat për makinat dhe bizneset, por edhe gjobat për kontributet e papaguara të pensioneve.
Nisma pritet të para shikojë faljen e detyrimeve para vitit 2010, ndërsa për detyrimet pas kësaj periudhe falja do të përfshijë vetëm kamatë vonesën apo penalitetet e tjera, kundrejt pagesës së detyrimit fillestar.
Edhe pse nga biznesi është kërkuar prej vitesh një amnisti fiskale, mosdakortësia mes forcave politike, ka bërë që kjo të mos realizohet në këto 25 vite ekonomi tregu.
Kjo ka bërë që për vite me radhë, qeveritë të ndërmarrin nisma ligjore për falje detyrimesh të ndryshme. Por kjo gjë nuk është mirëpritur nga të gjithë, pasi përfitimi ka qenë vetëm për ata që nuk kanë qenë të rregull në pagesat e detyrimeve, duke sjellë pakënaqësi tek ato biznese, apo ata individë që kanë qenë të rregull të pagesat e detyrimeve ligjore dhe fiskale.
Sipas tyre, kjo ka bërë që edhe niveli i informalitetit të rritet, duke ndikuar negativisht në deformimin e tregut.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.