Falsifikim dhe shpërdorim detyre – Policia ndalon dy shtetas, shpall në kërkim dy të tjerë
Finalizohet operacioni policor i koduar “IDENTITETI”, në fushën e falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale dhe seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare finalizuan me sukses operacionin policor “IDENTITETI”.
Policia e Shtetit tha se pas një hetimi disa javor me metoda speciale të hetimit, u ndalua shtetasi R.Y., 30 vjeç, banues në Mertiraj, Vlorë, punonjës i gjendjes civile Vllahinë, i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale ”Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Gjithashtu sipas njoftimit, po ndiqet në gjendje të lirë shtetasja K.P., punonjëse e gjendjes civile Durrës për veprat penale ”Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.
Policia e Shtetit tha se në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasve V.Z., i cili ka aplikuar për pasaportë me gjeneralitetet e një personi tjetër që kishte ndërruar jetë ne vitin 1997, por nuk e kishin çregjistruar nga Regjistri i Gjendjes Civile, si dhe E.K, punonjësi i kompanisë ‘Aleat’, pasi i ka vënë gjurmët e gishtave për aplikim për pasaportë të personit V.Z.
Njoftimi bëri me dije se materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Shpërdorim të detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.