Falsifikim dokumentesh, kalim i paligjshëm kufiri e vjedhje të energjisë elektrike – Policia arreston 2 shtetas
Policia e Shtetit bën me dije se Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas një hetimi 6-mujor, finalizuan operacionin “Faturisti”, në kuadër të të cilit u godit një rast i falsifikimit të dokumenteve.
Sipas njoftimit si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin E. A., 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë ish-inspektor pranë një kompanie private në Shkodër, si dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre ose funksioni publik”, për shtetasit V. D., 62 vjeç dhe K. Z., 61 vjeç, banues në Lezhë, më detyrë ish-elektricistë pranë OSHEE Lezhë.
Policia bën me dije se Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Lezhë kanë zhvilluar hetimet mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasit E. A., V. D. dhe K. Z., gjatë ushtrimit të detyrës së tyre kanë falsifikuar formularët e raportit të verifikimeve të matësve elektrik në subjekte të ndryshme private ku kanë kryer inspektime, duke mos evidentuar vjedhjen e energjisë elektrike nga këto subjekte.
———-
Ndërkaq po sipas njoftimit të publikuar nga Policia e Shtetit, Specialistët e Pikës së Kalimit Kufitar Durrës në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Trafiqeve në DVP Durrës, si rezultat i kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasen E.B., 34 vjeçe banuese në Durrës.
Në njoftim theksohet se shtetasja e mësipërme, mbrëmjen e djeshme është ndaluar në PKK Durrës, duke ndihmuar të kalojnë kufirin në mënyrë të kundërligjshme, me dokumente të dyshuara të falsifikuara shtetasit V.Gj., 30, vjeçe, banuese në Durrës; M.Gj., 28 vjeç, banues në Durrës; M.M., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe B.P., 30 vjeçe, banuese në Tiranë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.