Falsifikimet e rrezikshme – Shqipëria, destinacion i mbi 2% të konfiskimeve globale të mallrave të rrezikshme “fake”!
Scan, referuar “Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale”, ka analizuar raportin më të fundit nga “OECD” dhe “Zyra e BE-së për Pronësinë Intelektuale” (EUIPO), mbi tregtinë e paligjshme të mallrave të falsifikuara. Ky raport jep rezultatet mbi tregtinë e mallrave të falsifikuara dhe gjithashtu parashtron kërcënimet shëndetësore dhe mjedisore që paraqesin këto mallra. Periudha të cilës i referohet raporti është viti 2017-2019-të.
Mes rezultateve të publikuara, raporti thekson se tregtia e paligjshme e mallrave të falsifikuara përbën një sfidë të madhe për një ekonomi globale. Ajo jo vetëm është e rrezikshme për konsumatorët, por dëmton rritjen ekonomike dhe nxit krimin e organizuar, i cili mund të minojë besimin në tregjet funksionale.
Të dhënat publikuara nga raporti për konfiskimet doganore tregojnë gjithashtu se lista e ekonomive të destinacionit të kontejnerëve është shumë e gjerë. Mes destinacioneve kryesore në botë të tregtisë së mallrave të falsifikuara të rrezikshme gjejmë të renditur dhe vendin tonë.
Shifrat tregojnë se Shqipëria përfaqëson mbi 2% të tregtisë së mallrave të rrezikshme në botë të konfiskuara. Grafiku tregon se vendi ynë është i vetmi vend në rajon i cili shërben si degë për tregtinë e mallrave të falsifikuara. Po cilat janë produktet e rrezikshme të cilat falsifikohen dhe tregtohen në mënyrë të paligjshme?
Raporti tregon se janë disa produkte me impakt për individët si produktet farmaceutike, ushqime, makineri elektrike dhe mekanike, pjesë për automjete, bizhuteri, veshje, parfumeri dhe kozmetikë. Të dhënat e raportit tregojnë se gjatë vitit 2017-2019, vendet e Europës, kryesisht ato të Europës Lindore, kanë qenë destinacionet më të rrezikshme për tregtinë e paligjshme të mallrave të falsifikuara.
Xhorxhina Deda / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.