Falsifikimi i diplomave – Reagon MASR, refuzon regjistrimin e tyre
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka reaguar lidhur me falsifikimin e diplomave në emër të Universitetit “Kristral”, të mbyllur tashmë prej disa vitesh.
Përmes një njoftimi sqarues për mediat, MASR refuzon në mënyrë kategorike se ka kryer regjistrimin e diplomave të falsifikuara që i përkasin këtij universiteti, pas verifikimit të ligjshmërisë në vitin 2014. Në këtë kuadër u mbyllën edhe 23 universiteteve, prej të cilëve 22 privatë dhe 1 publik si dhe 6 filiale.
Sipas MASR, që prej 1 shtatorit të viti 2004, asnjë prej këtyre universiteteve nuk u është dhënë e drejta e lëshimit të diplomave për studentët.
“Ministria e Arsimit kërkoi nga institucionet e mbyllura që të dorëzojnë të gjithë regjistrat që disponojnë me emrat e studentëve. Universiteti “Kristal” nuk pranoi të dorëzojë regjistrat sipas kërkesës zyrtare.
Pas kallëzimit që iu bë këtij universiteti për këtë shkelje të radhës, ndërhyri prokuroria dhe i sekuestroi regjistrat”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas MASR-së, regjistrat janë depozituar në arkivin e Ministrisë pas mbylljes së hetimeve nga prokuroria, duke shtuar se institucione dhe individë të ndryshëm kanë kërkuar informacione lidhur me vërtetësinë e diplomave të lëshuara nga ky universitet.
Ndërkohë, MASR ka vijuar më tej se në 86 raste të kërkesave të shqyrtuara të mbërritura në këtë institucion, asnjëra prej tyre nuk është e vlefshme, duke shtuar se nuk figuron në regjistrat që ajo disponon.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.