Falsifikimi i dokumenteve të rrushit maqedonas për raki – Arrestohen inspektorët e AKU në Korçë

Policia e Shtetit njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Akciza”, ku ranë në pranga tre shtetas, dy prej të cilëve inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Dy inspektorët e AKU-Korçë akuzohen për shpërdorim detyre, pasi kishin favorizuar një shtetas tjetër, të kalonte nga Maqedonia drejt Shqipërisë një sasi të konsiderueshme rrushi industrial.
Shtetasi V.T. u kap në flagrancë duke transportuar me furgonin e tij, një sasi prej 4600 kg rrush, të vendosur në 230 arka. Nga verifikimet e kryera dyshohet se shtetasi i mësipërm, ka falsifikuar deklaratat e origjinës së mallit pasi ka bërë shmangien e një sasie prej 2300 kg të kësaj sasie, si edhe ka ndryshuar varietetin e këtij produkti në praktikën doganore, duke mos e deklaruar se shërbente për prodhim industrial.
Dy inspektorët e AKU-së, F.I dhe D.Ç, duke qenë me shërbim pranë degës doganore Qafë-Thanë, dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën, pasi kanë përpiluar një raport fito-sanitar duke tjetërsuar cilësinë e këtij produkti, ku sasia më e madhe e tij shërbente për prodhim industrial.
Kështu u bë klasifikimi nga mall me akcizë në mall pa akcizë, me qëllim që të shmangeshin detyrimet doganore.
Në cilësinë e provës materiale, policia njofton se u sekuestruan mjeti tip furgon dhe sasia e produktit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.